Si të mos mjaftonte ajo humbje e thellë ndaj Egnatias me shifrat 3- 0, Vllaznia duket se ka humbur për përballjen e ardhshme edhe një prej lojtarëve më decizivë të saj, mesfushorin kosovar, Lorik Boshnjaku. Nga sa mësohet prej stafit mjekësor, ai ka pësuar një tërheqje të thellë në këmbën e majtë. Stafi mjekësor ka bërë dje ekzaminimin e dëmtimit dhe ka vërejtur se tërheqja është e thellë dhe do të duhet pak kohë që të ketë një rikuperim të plotë. Nisur nga kjo, tekniku Josa duhet që t’i bëjë llogaritë për takimin ndaj Kastriotit pa ndihmën e Boshnjakut, teksa skuadra është nën presion pas humbjes së fundit dhe oshilacioneve që ka treguar në lojë.

Ndërsa, nga ana tjetër, dje ka mbërritur në Shkodër edhe mesfushori Liridon Latifi. Nga ekzaminimi i bërë prej stafit mjekësor, mësohet se Latifi ka sërish probleme, dhe ashtu si një javë më parë, nuk do të jetë i gatshëm as për këtë takim.

RIKTHIMET

Pavarësisht dy mungesave të rëndësishme për përballjen e së dielës, duket se dy lojtarë kyç do të jenë të gatshëm për sfidën e radhës. Pas dy javësh mungesë, është kthyer në formën e plotë në stërvitje me grupin, mbrojtësi i majtë Esin Hakaj, teksa mungesa e tij është vënë re dukshëm në dy përballjet e kaluara. Ndërsa një tjetër rikthim me vlerë për shkodranët është ai i mesfushorit Herald Marku, i cili u ndëshkua me karton të kuq në takimin ndaj Tiranës dhe ishte një tjetër mungesë e rëndësishme ashtu si Hakaj e Latifi në sfidën e humbur nga Egnatias. Marku është momentalisht golashënuesi më i mirë i Vllaznisë, me dy gola të shënuar.

JOSA, BESIM TE TË RINJTË

Tekniku i Vllaznisë duke se i ka dhënë besim elementit të ri në ekipin e tij. Në ndeshjen e fundit ai aktivizoi disa të rinj me perspektivë, si Geralb Smajli që luajti titullar, i cili ka zëvendësuar Hakajn. Po ashtu, pas dëmtimit të Boshnjakut ju dha mundësia e një emri tjetër të ri, por jo të padëgjuar, si Rejan Alivoda. Ai ka treguar personalitet në aq minuta sa është aktivizuar dhe shihet si një futbollist me një të ardhme të ndritur. Me fanellën kuqeblu ka debutuar edhe Antonio Delaj, me sulmuesin shtatshkurtër që zëvendësoi Malën në minutat e fundit ndaj Egnatias.