Edhe pse akoma nuk është emëruar trajneri i ri, te Vllaznia duket se kanë nisur të formojnë edhe ekipin për sezonin e ri. Kështu, burime të “Shkodra Sport” pranë klubit shkodran kanë bërë me dije se janë shumë pranë firmosjes së kontratës së re me portierin Bojan Zogoviç.

Malazezi ka lënë përshtypje të mirë me paraqitjet e tij në sezonin e kaluar dhe në këtë mënyrë, pothuajse është rënë dakord që ai të jetë pjesë e kuqebluve edhe për sezonin e ri. Së fundmi, Zogoviç ka pasur një takim me drejtorin sportiv Elvis Plori, i cili i ka bërë një ofertë për të qëndruar sërish tek Vllaznia.

Portieri malazez ka shprehur dëshirën e tij për të qëndruar dhe me shumë mundësi, palët janë drejt mbylljes së marrëveshjes edhe për një sezon tjetër. Poashtu, gjatë sezonit të ardhshëm, nëse shihet e arsyeshme nga ana e trajnerit, Zogoviç mund të jetë edhe portier i dytë, sepse ndoshta mund t’i jepet prioritet edhe portierit tjetër Kristi Qarri.

Të paktën, kështu mendohet dhe në vazhdim mbetet për t’u parë gjithçka, me portierin malazez që është drejt rinovimit me kuqeblutë edhe për një vit tjetër. Sezonin që po lëmë pas, Bojan Zogoviç i ka luajtur të gjitha ndeshjet e plota të kampionatit me Vllazninë, ku shpesh herë madje ka qenë mjaft vendimtar me pritjet e tij.
Maringlen ZHIVANI