Merkato ka përfunduar prej disa javësh tashmë dhe skuadrat në mbarë Europën kanë nisur kampionatet. Përjashtim nuk bën as Superliga e as Vllaznia që bëri afrimet në verë me emra si: Juriç, Shehi, Marku, Mala, Vulaj, Boshnjaku. Por duket se kuqeblutë duan të përforcohen akoma më tepër.

“Shkodra Sport” mëson se një futbollist nga Polonia prej disa ditësh është në provë me kuqeblutë. Lojtari është afruar që para ndeshjes me Teutën dhe do shihet nëse mund të jetë një futbollist që mund të vlejë për shkodranët apo jo. E për këtë duhet bindur stafi teknik, me në krye trajnerin Josa.

Nga informacionet polaku në stërvitjet e zhvilluara gjatë këtyre ditëve është aktivizuar në rolin e mesfushorit të qendrës. Duket se ai mbulon atë pozicion në fushë, por edhe rolin e mesfushorit pas sulmuesit. Po ashtu bëhet e ditur se karriera e futbollistit është shumë e pasur, me një CV për tu pasur zili.

Ende nuk është bëri i ditur emri i tij, pasi klubi duket se do të ruajë anonimatin për momentin. Për të parë edhe ecurinë e polakut, që ndoshta mund të jetë afrimi i rradhës i Vllaznisë. Gjithashtu “Shkodra Sport” mëson se futbollisti është afruar tek Vllaznia nga ana e ish-mesfushorit shkodran, Uliks Kotrri. Kotrri që tani është një menaxher është i bindur nga aftësitë e mesfushorit të cilin ia ka sugjeruar edhe ekipit të tij të zemrës.
Endri Çinari