Safet Osja është zv/ trajneri i ri i Vllaznisë. Ai është emëruar në këtë post dy ditë më parë pas largimit të Elvin Beqirit që u emërua trajner i Kombëtares U-17. Osja është një nga ish-futbollistët shkodranë, të cilët janë shpallur kampionë dhe kanë fituar Kupën e Shqipërisë me Vllazninë.

Ai është shpallur 2 herë kampion me këtë ekip në vitet e largëta 1998 e 2001, titulli i fundit i fituar nga Vllaznia. Po ashtu, ai ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë me këtë skuadër në vitin 2008. Osja është shpallur kampion edhe me ekipin e Elbasanit. Pas lënies së futbollit, ai për pak vite ka qenë pjesë e trajningut me ekipe fëmijësh.

Në intervistën e tij për “Panorama Sport”, Osja tregon se pse pranoi ofertën e klubit dhe objektivat që kërkon të arrijë në stolin e skuadrës shkodrane. “Mendoj se Vllaznia nuk i ka dhe nuk do t’i ketë problemet e Tiranës. Unë e shikoj me optimizëm të ardhmen e Vllaznisë”, thotë ndër të tjera Osja në intervistën e tij për gazetën.

Si e pritët ofertën e Vllaznisë për t’u bërë zv/trajner?

Me kënaqësi dhe gjithashtu me shumë përgjegjësi. Dihet tashmë se cila është Vllaznia dhe emri që ajo ka.

Patët dyshime për ta pranuar ofertën?

Jo, nuk hezitova. Të të thërrasë Vllaznia të jesh pjesë e saj, është një nder për çdo shkodran dhe jo më për ne si ish-lojtarë të saj. Nuk kisha pse të hezitoja.

Keni qenë larg Vllaznisë duke mos pasur ndonjë post, por e keni ndjekur gjithmonë. Kishit menduar se mund ta trajnonit këtë skuadër në këtë kategori?

E kam ndjekur me shumë interes. Normalisht si çdo shkodran, edhe unë jam mërzitur kur ka rënë nga kategoria. Nuk e mendoja se do udhëhiqja Vllazninë në këtë kategori. Megjithatë, shpresojmë dhe besojmë se ishte vetëm një ëndërr e keqe që do të përfundojë shpejt.

Më shumë përgjegjësi në fushë kur luanit apo tashmë në stol?

Përgjegjësia më e madhe është në stol. Kur kemi qenë lojtarë ka qenë më ndryshe. Tani si trajner duhet që të kontribuosh për të marrë më të mirën nga të gjithë.

Merkatoja e janarit po afron, ka nevojë ekipi për ndërhyrje?

Sapo kam filluar, kështu që t’ia lëmë vazhdimësisë. Duhet që të gjithë bashkë të vendosim për ata lojtarë që mund të na duhen.

A duhet që të fillohet që tani për sezonin e ri?

Mendoj se është ende herët. Gjithsesi, piketat duhen nisur.

Tirana u ngjit në Superiore duke dëshmuar supremaci në Kategorinë e Parë, por tashmë në elitë po shfaq oshilacione të mëdha. Çfarë duhet të bëjë Vllaznia për të krijuar që tani baza të shëndosha dhe të mos përsërisë gabimet e Tiranës kur të ngjitet në Superiore?

Mendoj se Vllaznia nuk i ka dhe nuk do t’i ketë problemet e Tiranës. Unë e shikoj me optimizëm të ardhmen e Vllaznisë.

Jeni shtatë pikë nga vendi i dytë dhe dhjetë nga i vendi i tretë, me këtë ritëm ngjitja duket një formalitet…

Nuk është formalitet, por çdo ndeshje ka vështirësitë e veta. Vllaznia duhet që të vazhdojë kështu dhe për më tepër të mos kalojë në vetëkënaqësi. Ka ende shumë ndeshje.

Luani edhe dy ndeshje në shtëpi para mbylljes së vitit, çfarë pret Osja nga sfidat me Besëlidhjen dhe Veleçikun?

Vetëm rezultate pozitive. Nuk mendoj asnjë rezultat tjetër veç fitoreve në këto dy takime, por edhe në vazhdimësi.