Emanuele Ndoj ka vendosur të ndërrojë menaxher dhe nga tani e tutje nuk do të përfaqësohet më nga Sokol Haxhia, i cili e ka ndjekur gjatë gjithë rrugëtimit të tij që kur ishte futbollist në akademi, por nga një prej emrave që po i bën vend vetes në futbollin italian “me dhunë”, Mario Xhiufredi.

Për tifozët shqiptarë ky është një emër i njohur, pasi bëhet fjalë për menaxherin e Elseid Hysajt, i cili në vitet e fundit, falë famës së mbrojtësit shqiptar ka dalë rregullisht thuajse çdo ditë në mediat italiane me deklarata nga më të ndryshmet.

Xhiufredi njihet si një tip energjik, i cili nuk kursehet sapo dëgjon dikë që kritikon lojtarët e tij dhe kjo i ka dhënë atij famën e një menaxheri “llafazan” përtej Adriatikut, por gjithsesi shumë të aftë në negociatat sidomos për të përmirësuar kushtet financiare të klientëve të tij.

Pas Hysajt, pak nga pak ai ka filluar të afrojë futbollistë të tjerë nga kombëtarja shqiptare dhe Ndoj është emri i katërt që i bashkohet listës. Emrat e tjerë të cilët kanë siguruar shërbimet e Xhiufredit dhe e kanë atë si përfaqësues janë Ledian Memushaj dhe Frederik Veseli. /vipsport/