Vllaznia mori një fitore me shumë vlera mbrëmë kundër Kukësit në shifrat 2-1. Në këtë mënyrë duke bërë autokritikë pas asaj humbjeje në javën e parë kundër Erzenit. Takimin kundër kuksianëve në përgjithësi kuqeblutë e dominuan nga fillimi në fund. Por në asnjë moment nuk mundën ta “vrisnin” sfidën pavarësisht rasteve të shumta.

Kjo pasi pavarësisht volumit dhe shanseve që kishte Vllaznia, gjithçka u vendos në minutën e 95-të falë një goli të Herald Markut. Në futboll ndodh diçka e tillë dhe shkodranët nuk vodhën asgjë me atë 3 pikësh në fundin e ndeshjes. Por suksesi dhe pikët e plota u dhuruan pikërisht nga futbollistët që erdhën nga stoli e ndoshta edhe nga mjeshtëria e Mirel Joses.

Trajneri kryeqytetasi i “habiti” disi të gjithë duke lënë në stol Kainen dhe Markun që priteshin titullarë. E aktivizoi kështu si sulmues Hoxhajn e ndërsa vendin e Markut e kishte zënë Heriç. Edhe kjo zgjedhje e Joses ishte e goditur, pasi Heriç shënoi një gol mjaft të bukur nga cilësitë individuale për shifrat provizore 1-0.

Por në momentin ku ndeshjes dukej se po i binte ritmi, që në fakt po kënaqte Kukësin, Josa hedh në fushë së bashku Markun dhe Kainen. Të dy futbollistët i dhanë një marsh tjetër skuadrës. Sulmuesi brazilian iu imponua mbrojtjes kuksiane me fizikun e tij duke iu nxjerrë shumë punë e ndërsa Marku dha atë goditje klinike për të marrë 3 pikët e plota.

Në fakt edhe asisiti për Markun erdhi nga Kaina, që falë këmbënguljes së tij dhuroi një top të shkëlqyer. Dhe një skuadër e fortë e bën dallimin edhe me futbollistët që vijnë nga stoli. E një ekspert i kampionatit tonë siç është Josa e di fare mirë këtë fakt duke “goditur” me zëvendësimet e tij sa herë që skuadra ka nevojë për një “plan B”.
Endri ÇINARI