Pas sigurimit të mbijetesës, Burreli ka nisur pushimet. Por kjo periudhë po shoqërohet si fillim me largimin e lojtarëve që u ka mbaruar kontrata klubin. Mesfushori Elidon Dulaj është një nga futbollistët që i ka përfunduar kontrata me skuadrën matjane.

Këtë e bën të ditur për gazetën “Panorama Sport”, vetë 23-vjeçari shkodran.

“Kontrata ime me skuadrën matjane ka qenë e lidhur për gjashtë muaj”, shprehet shkurt rreth këtij argumenti, Dulaj. Me përfundimin e kontratës me matjanët, mesfushori shkodran gjatë ditëve në vazhdim do t’i bashkohet Vllaznisë, nga ku edhe u huazua. Gjatë qëndrimit gjashtëmujor me Burrelin, Dulaj u aktivizua në 17 ndeshje dhe gjeti rrugën e rrjetës një herë të vetme, ndaj Vorës më 9 mars, në “Liri Ballabani”, takim që u fitua nga matjanët me rezultatin 2-1. Goli i Dulajt erdhi në minutën e katërt të pjesës së parë, duke i hapur rrugë një fitore të rëndësishme të Burrelit në luftën për mbijetesë.

“Zhvilluam një sezon të fortë, që na mbajti të mbërthyer në emocione deri në javën e fundit të kampionatit. Siç kemi pasur hapa fals, kemi zhvilluar dhe ndeshje pozitive, që do të më mbesin gjatë në memorie”,

u shprehet në fund të prononcimit të tij 23-vjeçari Dulaj. Mesfushori shkodran iu bashkua skuadrës matjane në merkaton e janarit të këtij viti. Ndeshja e parë testuese ka qenë miqësorja ndaj Kastriotit, fituar nga krutanët me rezultatin 2-0./contact-form]