Boksierja shkodrane Elsidita Selaj nuk do mundet të ngjitet në ring për gjysmëfinalen e Kampionatit Europian U22 që është duke u zhvilluar në Vladivkavkaz të Rusisë.

Arsyeja ka të bëjë me anën shëndetësore të saj dhe për rrjedhojë mjekët ia kanë ndalur vazhdimin e garës. Një gjë e tillë është konfirmuar për “Shkodra Sport” nga vetë trajneri i saj Jetmir Kuçi.

“Gjendja shëndetësore e Elsidites nuk është e mirë dhe kjo nuk e bën të mundur të vazhdojë rrugën drejt finale. Ajo ka patur një infeksion në fyt dhe për rrjedhojë i ka sjellë temperaturë të lartë, prandaj dhe mjeket i kane rekomanduar te mos ndeshet me. Gjithsesi, vendi i tretë në Europë që ajo ka arritur, është historike për Shqipërinë”- ka thënë trajneri i saj.

Në këtë mënyrë, Elsidita Selaj nuk do të ngjitet në ring nesër ndaj boksieres ruse duke mos qenë në gjendje të vazhdojë të pretendojë për më shumë. Fotot e këtij shkrimi e tregojnë qartë gjendjen e saj shëndetësore teksa ajo po mbahet nën kujdesin e mjekëve

Gjithsesi, medalja e bronztë që ajo fitoi në peshën 75 kg në Europianin që po zhvillohet në Rusi, është një arritje shumë e madhe e kësaj sportisteje, e cila në një hark kohor prej një viti, i ka dhënë Shqipërisë dy medalje të rëndësishme europiane.
© shkodrasport.com