Pas dy ditesh lajme kontrakditore, sot eshte zyrtarizuar nderprerja e bashkepunimit ne mes klubit Partizanit dhe drejtorit te saj sportiv Elton Marini. Ne pamje te pare nje ndarje e çuditshme sepse skuadra e kuqe sapo u shpall kampion dhe drejtori natyrisht qe ka meriten e tij tek ky sukses.

Gazeta “Shkodra Sport” e ka kontaktuar Marinin per te mesuar diçka me shume ne lidhje me kete largim te tij dhe pergjigja e tij ishte kjo: “Di te them se kam punuar me shume perkushtim. Ka qene nje sezon super per Partizanin. Me lojtare te rinj ne organike dhe ne nje kampionat ku nuk ishim favorite, ia dolem te fitojme me merite dhe besim”.

Po cila ishte arsyeja konkrete e ketij largimi? Ish- drejtori shton: “Arsyeja e largimit? Mendoj se eshte nje pyetje per klubin. Une besoj se kam punuar me perkushtim, por palet mund te ndahen edhe pa patur asgje me njeri- tjetrin. Drejtuesit kane menduar qe ndryshimi te sherbeje per te miren e skuadres dhe kaq”.

Marini siç dihet eshte edhe menaxher i njohur i futbollit dhe i pyetur nderkohe per te ardhmen e tij, ai do te pergjigjej: “Tashme jam i lire ne treg dhe nuk perjashtohet mundesia t’i bashkohem edhe ndonje skuadre tjeter”.
Marinela MATIJA