Ndodh edhe kështu. Ndonëse ishte thjesht një interviste e zakonshme në lidhje me karrierën e tij, kur e pyet se çfarë ka qenë Vllaznia për të, ai jo vetëm entuziasmohet, por lotët nuk e lënë të flasë ashtu si duhet. E kemi fjalën për “Mjeshtrin e Madh” të basketbollit Refik Vorfa.

Gjatë intervistës së sotme në PODCAST-in e “Shkodra Sport”, 72 vjeçari është përlotur dhe ka thënë disa fjalë që duhet të futen në mendjen e të gjith shkodranëve. Për t’i bërë ata të kuptojnë se kush është Shkodra dhe si të vlerëson ky qytet.

“Vllaznia është jeta, jeta është për mua. Ajo çfarë mban mend është Vllaznia dhe basketbolli. Nuk mund të them se më ka dhanë Vllaznia, Shkodra po, ajo më ka dhanë shumë. Një gja di të them: Kam dhanë për Shkodrën, por e kam dhanë me kënaqësi dhe tanë jetën të japësh, është kënaqësi e madhe.

Tash në fund të karrierës kuptohet se njeriu nuk ka se çfarë të jap më, por i jep mirënjohje. Shkodra përfaqësohet me shkodranë, mirënjohje për shkodranët. Shumë gjana më shkojnë në mend, por emocionet që kam, janë emocione të një njeriu, të një sportisti dhe me këtë i tregoj shumë njerëzve të tjerë se të jesh sportist, do të thotë të kesh NDJENJË.

Edhe në këtë moshë që jam, këto ndjenja ekzistojnë njëlloj si në rini. Dëshira me kontribu tek disa njerëz është më e madhe, tek disa të tjerë më e vogël. Unë e kam pasë shumë të madhe për me kontribu. Sot do të doja me kontribu prapë, por mundësitë janë të kufizuara. Po kontribuoj për familjen time, por do të kisha kënaqësi të kontribuoja prapë për Shkodrën.

Dhe natyrisht që përveç sportit, nuk di se kam aftësi tjetër. Por mua më bahet qejfi se Shkodra sot e ka mundësinë me përparu dhe jam shumë i lumtur për këtë gjë”- është shprehur ndër të tjera mjeshtri Vorfa. Prononcimin e tij mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të gazetës “Shkodra Sport” në youtube duke klikuar në linkun e mëposhtëm: