Dita e sotme ka qenë ndoshta nga më të lumturat e jetës së tij. Ka festuar 20 vjetorin e lindjes dhe pikërisht si dhuratën më të mirë për këtë përvjetor ka marrë ftesën e trajnerit Jonuz për t’u stërvitur me ekipin e parë të Vllaznisë.

E kemi fjalën për mesfushorin Emrah Fikaj. Ai ka spikatur në ndeshjen e djeshme të kontrollit dhe stafi teknik i kuqebluve e ka evidentuar duke i kërkuar të dalë në stërvitje.

Fikaj ka qenë një nga pikat më të forta të ekipit U19 deri para dy sezonesh duke ndihmuar në fitimin e disa trofeve të tij. Ndërkohë në sezonin e kaluar, ndonëse ishte në vëmendjen e drejtuesve të klubit, duke mos patur hapësira tek ekipi i parë, kaloi tek ekipi B, aty ku ka bërë paraqitje shumë të mira.

Nuk u mërzit për asnjë moment, por vijoi të punojë fort me shpresë se një ditë do të vinte momenti i tij. Edhe gjatë periudhës së fundit kur shumë prej kolegëve të tij bënin pushime, Fikaj stërvitej me trajner personal.

Ka shfrytëzuar mundësinë që iu dha për të treguar vlerat e tij dhe e bëri në mënyrën e duhur. Nga sot është në stërvitje me ekipin e parë por ai për asnjë moment nuk do të ulë ritmin. Tashmë i ka vënë vetes detyrë të mos largohet më nga ekipi i parë.

Megjithatë sonte i duhet të festojë 20 vjetorin e lindjes. Nga nesër sërish për të djersitur në stëvitje. “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të lumtura Emrah Fikajt dhe njëkohësisht një karrierë sa më të suksesshme!
© shkodrasport.com