Erald Çinari, pas asaj formë të mirë që tregoi në fund të sezonit të shkuar, është shndërruar në një lojtar shumë të rëndësishëm për Partizanin dhe është abonuar me formacionin e parë.

Në një lidhje me Super Sport, shkodrani tregon rreth situatës prej koronavirusit, ku nuk i mungon as sensi i humorit. Në fund tregon edhe për mosmarrëveshjen me drejtuesit e Vllaznisë në lidhje me transferimin e sulmuesit në Spanjë.

STËRVITJA- Gjendja fizike nuk diskutohet. Nuk është njëlloj të punosh veç, si me grupin. Tani po rëndohemi edhe psikologjikisht, nuk po na mban as truri(qesh). Tani kam nis t’u bëhem rëndë nënës e babës. Kur po ikën thonë (qesh).

KORONAVIRUSI NË SHKODËR- Sinqerisht, gjendja në Shkodër është e keqe. Po shtohen rastet. Ka një neglizhencë të njerëzve. Më duket me kuptim të shkojë kështu gjendja. Kur thuhet që të qëndrojmë brenda, duhet të qëndrojmë.

MALLI PËR FUTBOLLIN- Të them të drejtën, më mungon çdo gjë, stërvitjet, ndeshjet, tifozët. Po na mungon zhurma e njerëzve, si të themi. Është një situatë e pakuptimtë. Uroj të kalojë sa më shpejt dhe t’i rikthehemi realitetit. Nuk vazhdohet kështu.

NDESHJET PA TIFOZË– Është shumë e vërtetë, që nuk është njëlloj si të luash me, apo pa tifozë. Ka presion tjetër. Futbolli për ta luhet dhe kjo dihet. Ata e krijojnë atmosferën. Ne jemi aktorët në fushë, por na mungojnë aktorët edhe në shkallë. Uroj të mbarojë sa më shpejt kjo situatë.

NDALESA PËR PARTIZANIN- Nuk është se kemi bërë një kampionat të mirë. Ndoshta kjo ndalesë ndikon për mirë. Uroj të jetë mirë për ne, keq për të tjerët. Dëshiroj të kthehem lart, aty ku është projektuar. Po stërvitemi të gjithë intensivisht, edhe pse nuk është njëlloj. Çdo ditë punojmë online me përgatitësin atletik.

VLLAZNIA DHE TRANSFERIMI I ANULUAR- Unë nuk e lashë Vllazninë për lekë, as për famë. Normal kushtet i kam më të mira te Partizani. Isha nisur për në Spanjë dhe patëm rënë dakord. Në fund nuk ma dhanë lejen e kalimit. Unë nuk e kisha me Vllazninë, e kam me drejtuesit. Më penguan të iki atje dhe më lanë të vij te Partizani. Jam i lumtur këtu dhe ndoshta një ditë mund të kthehem sërish te Vllaznia. /vipsport/