I ardhur nga dëmtimi, që e ka mbajtur larg pedanës për shtatë muaj, shkodrani tregon se forma është në ngritje dhe shpreson në një garë të suksesshme

Kampionati Botëror i të rriturve, që zhvillohet në Turkmenistan më 1 deri më 10 nëntor, është në prag. Dhe kombëtarja e Shqipërisë, e cila përbëhet nga pesë sportistë (Arbër Çerçizaj dhe Briken Calja pesha 73 kilogram; Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli pesha 81 kilogram dhe Krenar Shoraj pesha 89 kilogram), është nën përgatitjet e fundit.

Madje sot ka pasur dhe një mbledhje me presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica, që ka bërë shpërndarjen e uniformave dhe të pasaportave me vizat e Turkmenistanit.

Përtej kësaj, Erkand Qerimaj rikthehet në pedanë pas shtatë muajsh, ndërsa ka munguar në Kupën e Shqipërisë dhe Kampionatin Kombëtar për shkak të dëmtimit në gju. Tashmë duket se e ka kaluar dëmtimin, ndërsa deklaron se nuk është ende për në zonën e medaljeve, kurse forma e tij po vjen në rritje.

Ndryshimi i peshës nga 77 në 81 kilogram nuk është problem për të, ndërsa mendon dhe shpreson në një garë të mirë, aq më tepër që është kualifikuese për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Ja dhe intervista e plotë e peshëngritësit Erkand Qerimaj në prag të Botërorit të Turkmenistanit.

– Erkand në prag të Kampionatit Botëror të Turkmenistanit cila është forma aktuale duke marrë parasysh që në Kupën e Shqipërisë dhe në Kampionat keni munguar për shkak të dëmtimit?

– Forma është në ngritje. Siç dhe mund ta keni parë, apo keni ndjekur dhe nga postimet në rrjetet sociale, ajo po vjen në rritje. Shpresoj të jem aty ku duhet, sepse, siç e thatë dhe ju, kam kaluar një periudhë pushimi me dëmtime e të tjera si këto.

Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë, sepse është një kampionat shumë i fortë. Duke marrë parasysh dhe peshën në të cilën ne marrim pjesë, atëherë mund të thuhet se pesha 81 kilogram mund të cilësohet bombë meqë në të marrin pjesë shumë peshëngritës krahasuar me peshat e tjera. Dhe kjo po ta vini re dhe nga numri i pjesëmarrësve mund të thuhet që është pesha më e fortë.

– Ka vështirësi ky ndërrim i peshës nga 77 kilogram në 81 kilogram?

– Ka vështirësitë e veta, por është më mirë sepse mendoj që nuk do të pimë zbresim nga pesha. Veçse do të jetë njësoj për të gjithë, por do të jetë shumë e fortë, sepse shumë ekipe, të cilat nuk kanë marrë pjesë deri më tani në Botëror do të jenë. Dhe duke parë dhe deklarimet mendoj se do të jetë shumë e fortë.

– Duke qenë se është dhe kualifikues për Lojërat Olimpike “Tokio 2020” ku e shihni veten?

– Siç dihet kualifikimi është individual. Dhe bëhet në bazë të pikëve. Dhe në përfundim të garave do të mblidhen pikët, ndërsa qëllimi jonë i vajtjes është mbledhja e këtyre pikëve olimpike. Por kemi dhe Evropianin e vitit të ardhshëm, I cili është po kualifikues për në Lojërat Olimpike. Do të mblidhen pikët dhe më pas do të shihet se kush e ka marrë kualifikimin.

– Së fundi, ku mendoni se mund të jetë medalja në shkëputje, apo në shtytje?

– Në këtë garë gjendja nuk është për në zonën e medaljeve. Por shpresojmë duke ardhur dhe duke u ngritur, sepse, siç e thash, kalova një dëmtim. Jam duke e marrë veten dhe jam në ngritje e lart. Shpresoj që gara në Turkmenistan të shkojë sa më mirë.