Ersi Çaku, trajner i Shkodra u-19 ka analizuar ndeshjen e fundit të Vllaznisë përballë Partizanit. Ai u ndal tek barazimi 1-1 që arritën shkodranët, duke e cilësuar disi të pranueshëm, por duke parë objektivat që ka skuadra është një rezultat që rri disi “ngushtë”.

Sipas Çakut të gjithë presin në Shkodër nga ky ekip për të sjellë titullin kampion që mungon prej vitit 2001. Ku gjithashtu ish-futbollisti i Adës ka besim tek cilësitë e futbollistëve dhe se ata duhet ti shfaqin këto aftësi në javët që vijojnë.

Çaku tha: “Ndeshja kundër Partizanit nuk mund të cilësohet negative sepse përballë ishte një prej rivalëve për titull. Barazimi edhe mund të qëndrojë në duele të tilla, por duke parë që objektiv është titulli kampion atëherë ndoshta në fund del që nuk është rezultati i duhur. Megjithatë ndeshja edhe mund të fitohej, por edhe humbej, besoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë në fund.

Të gjithë kanë pritshmëri nga kjo Vllazni duke parë futbollistët që ka. Të gjithë në Shkodër duan titullin kampion që mungon prej vitit 2001 dhe prandaj sytë janë të gjithë tek skuadra. Nuk duhen bërë gabimet e dy sezoneve të shkuara sepse kjo skuadër i ka mundësitë dhe kualitetet që të bëjë shumë më mirë seç ka bërë.

Prandaj them se futbollistët apo edhe stafi teknik që janë figura të nderuara ta tregojnë veten. Duhet marrë maksimumi nga çdo takim duke filluar nga ky i rradhës kundër Laçit. Duhet hyrë me grintë dhe shpirtin e duhur të garës në çdo ndeshje sepse siç e thashë nuk e diskutoj që Vllaznia është ekipi më me kualitet në Superiore këtë sezon”.
Endri ÇINARI