I ardhur në limitet e merkatos së janarit, mbrojtësi shkodran Ervis Kraja ndoshta nuk u mendua se do të zinte një vend titullari në formacionin e Vllaznisë por vazhdimi tregoi të kundërtën. Ai ndonëse nuk kishte zhvilluar një fazë përgatitore të rregullt, me punën sistematike në stërvitje, arriti të bindte fillisht ish-trajnerin Vata e më pas edhe Grimën duke qenë titullar I padiskutueshëm. Pikërisht kjo paraqitje e bërë në atë gjysëm sezoni, e bën mbrojtësin shtatëlartë të mendojë se bashkëpunimi me Vllazninë do vazhdojë. Këtë ai e thotë në prononcimin e tij për “Shkodra Sport” kur shprehet: “Në fund të janarit kur firmosa me skuadrën time të zemrës, nuk pati shumë kushte. Thjesht, kisha dëshirë të madhe të kontribuojë për të dhe ndonëse fillimisht nuk isha titullar, e fitova një vend në formacion dhe mendoj se jam paraqitur mirë. Pikërisht kjo paraqitje, më bën të mendoj se kontrata ime me Vllazninë duhet të vazhdojë. Në janar kemi firmosur me drejtuesit e saj një kontratë 6 mujore me opsionin për ta shtuar edhe një vit. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë arsye pse kjo kontratë të mos shkojë deri në fund. E rëndësishme është që të ndërtojmë një skuadër të fortë dhe pretendente në sezonin e ri”. Kraja flet shkurt. Nuk ka dëshirë të zgjatet shumë. Përvoja e tij në këtë sport tashmë është e konsiderueshme pasi po I bëhen disa sezone që luan në Superligën shqiptare me ekipe si Vllaznia, Besa, Skënderbeu e Dinamo ndërkohë që ka provuar të luajë jashtë vendit edhe në Greqi dhe Ukrainë. 29 vjeçari di të bëjë edhe një analizë të sezonit që sapo la pas skuadra shkodrane duke treguar edhe disa nga dobësitë e konstatura tek ajo. “Që në nisje të sezonit ndoshta disa gjëra nuk shkuan mirë si pasojë e ndryshimit të presidencës. Kjo vazhdoi me largimin e trajnerit Josa për të vazhduar pastaj edhe me gjëra të tjera deri në fund e mbyllëm në vendin e gjashtë. Sigurisht që tifozët tanë presin më tepër nga kjo skuadër dhe të gjithë duhet të bëjmë maksimumin për t’ia ngritur aty ku I takon emrin Vllaznisë”-ka thënë qendërmbrojtësi kuqeblu.  Gjatë këtyre ditëve të nxehta skuadra shkodrane është lënë pushim megjithatë shumë prej futbollistëve vazhdojnë stërvitjen individuale. Mjafton të kalosh pasdite pranë stadiumit “Loro Boriçi” dhe në pistën e tij do të vëresh një grup futbollistësh që vrapojnë çdo ditë. Shumica janë të rinj por  në krye të tyre është Ervis Kraja që stërvitet me shumë passion. I pyetur për këtë gjë, ai do të shprehej: “Unë për asnjë moment nuk e kam ndërprerë stërvitjen individuale. E kam bërë këtë gjë vazhdimisht dhe vazhdoj ta bëj sepse dua që të ruaj parametrat fizikë. Kuptohet që ka kohë derisa të nisim stërvitjen megjithatë unë do vazhdoj të stërvitem”. Kjo është një gjë e mirë. Shumë prej kolegëve të tij kanë marrë pushimet prej ditësh por ai vazhdon stërvitjen. Për të qenë në formën e duhur kur Vllaznia të startojë me përgatitjet e sezonit të ri. Dhe Kraja dëshiron të jetë po aty, për të dhënë kontributin e tij maksimal për këtë skuadër.
Gjergj KOLA