Sukseset me grupmoshat dhe fitimi I Kupës së Shqipërisë për këtë vit, kanë qenë vetëm nisja e rrugës së sukseseve për ekipin e meshkujve të Vllaznisë në atletikë për të rritur. Ky ekip ka arritur të zërë vendin e parë dhe të shpallet kampion I Shqipërisë edhe për vitin 2012 duke e bërë pronë të tijën këtë trofe prej vitesh me rradhë. Atletët shkodranë kanë dominuar në shumicën e garave ku spikat triumfi I atletit Ardit Rashi në garën e 100 metrave, I Elvedin Metit në 200 metra, I Elton Bitinckës në 110 metra me pengesa, I Bledar Mesit në 3000 metra me pengesa, I Besmir Pepës në hedhjen e shtizës dhe I ekipit të Vllaznisë në garën stafetë 4 x 100 metra.

Me gjithë këto vende të para në garat individuale, por edhe me shumë vende të dyta dhe të treta, ekipi shkodran ka dominuar në mënyrë absolute ndaj ekipeve të tjera dhe kjo shihet më së miri në renditjen përfundimtare ekipore. Vllaznia e para kja grumbulluar plot 235 pikë ndërsa Teuta e vendit të dytë vetëm 58 pikë. Diferencë jashtëzakonisht e madhe që tregon më së miri edhe për epërsinë e atletëve shkodranë që janë rikonfirmuar edhe njëherë tjetër si më të mirët e pistës shqiptare. Ndërkohë bën përshtypje edhe një vend I parë në garat e femrave nga atletja e Vllaznisë Edra Spahija që zuri vendin e parë në garën e 5000 metrave. Në këtë mënyrë, edhe për vitin 2012, atletët shkodranë kanë treguar se do vazhdojnë të mbizotërojnë edhe për vite të tjera në këtë sport që jo më kot konsiderohet mbretëresha e sporteve.

Gjergj KOLA