Çiklizmi në Shkodër vazhdon të zhytet çdo ditë e më thellë duke njohur pjesën më të zezë të historisë së tij. Për të dytin vit radhazi, ekipi i Vllaznisë nuk do të marrë pjesë në Rrethin Çiklistik të Shqipërisë që zhvillohet çdo vit ka Federata e Çiklizmit. Lajmin e konfirmon një prej çiklistëve të Vllaznisë, pikërisht Ardit Vorfa. I pyetur për situatën e fundit, Vorfa thekson se u është komunikuar nga drejtuesit e “Sport Klub Vllaznia” se nuk do të jenë pjesë e kësaj gare që do të mbahet me 12 qershor. Arsyeja është sërish banale, e njëjtë me atë të një viti më parë. Nuk janë fondet e mjaftueshme, për të mundësuar shkuarjen e Vllaznisë në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm për të gjithë çiklistët. “Jemi përgatitur shumë e shumë për këtë garë, ashtu siç bëjmë rregullisht në mënyrë që të marrim rezultatet më të larta të mundshme. Ndërsa ne stërvishim intensivisht, një ditë na vjen lajmi që nuk do marrim pjesë në Rrethin Çiklistik. Pyesim me nxitim se cila është arsyeja. Menduam se çfarë ka ndodhur. Në fakt asgjë. Ashtu si para një viti, edhe kësaj here na komunikojnë se nuk ka para për këtë garë. U mërzitëm shumë dhe natyrisht na vjen shumë keq që nuk do të marrim pjese si të gjitha skuadrat e tjera sepse është një aktivitet shumë i rëndëishëm për të gjithë ne” – thotë Vorfa. Skuadra e Vllaznisë në çiklizëm vazhdon të mbetet një nga ekipet më të persekutuara nga klubi shumësportesh, duke mos patur vëmendjen e duhur e duke mos u angazhuar maksimalisht për të zhvilluar këtë sport të traditës por duke e lënë mënjanë si të pavlerë. Kjo situatë vijon të mbetet pjesë e keqfunksionimit të klubit shumësportesh në Shkodër i cili sportet i ka ndarë disa të “njerkës” e disa të “nënës”. Çiklizmi bën pjesë tek këta të “njerkës” sepse po të ishte ndryshe do ishte gjetur mundësia e pjesëmarrjes së Vllaznisë në Rreth. “Nuk e dimë se çfarë do bëhet me ne dhe nuk e dimë deri kur do vijojë kjo situatë aspak e mirë. Kemi vite që përgaditemi me mund e me djersë për këtë sport, duke u munduar ta mbajmë të gjallë trashëgiminë e lënë me aq krenari nga i ndjeri tashmë Agim Tafili, familja Muriqi, e të tjerë emra të nderuar çiklistësh. Edhe pse mundohemi, askush nuk na e vë veshin duke na lënë në mëshirë të fatit, e duke arritur deri aty sa mos të na mundësojnë pjesëmarrjen në një garë si Rrethi Çiklistik” – përfundon Vorfa prononcimin e tij. Patjetër që kjo situatë do vazhdojë e njëjtë kushedi edhe për sa kohë por kjo nuk do i shërbejë askuj, vetëm do krijojë një histori të zezë në çiklizmin shkodran, e shkruar nga drejtuesit e “Sport Klub Vllaznia”, të cilët, asnjëherë nuk e vunë dorën në zemër për ata djemë, e asnjëherë nuk e bënë detyrën karshi tyre. Duket se çiklizmin e kanë një ogur të zi, apo si një makth a halunaçion të keq, që sa herë ia përmend i sjell pështjellime në mendje, të cilat, nuk e dimë nga se burojn. Në fakt, Vllaznia ka djem të talentuar në këtë sport por që prej vitesh tashmë ,ëndrra e tyre për ti kthyer Shkodrës traditën e hershmë në garën e biçikletës është ndërprerë e po shuhet dita ditës, nga ata zotërinjtë që mbajnë postet nga një teser partie, e cila është si një pompë që mban gjallë zemrat e vdekura.

Senad NIKSHIQI