Erzeni vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjes ndaj Egnatias, që do të luhet të shtunën në orën 13:00 në stadiumin e Rrogozhinës. Shijakasit do të kenë një mungesë shumë të rëndësishme në këtë takim, pikërisht mesfushorin me tipare sulmuese, Amir Kahrimanoviç.

Kroati ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe është i detyruar të mungojë në javën e 16-të. Në të njëjtën kohë, në dyshim është edhe kapiteni Gëzim Krasniqi, i cili vijon fazën riaftësuese pas dëmtimit të pësuar në fundvitin e kaluar.

Në miqësoren e zhvilluar të shtunën në Lezhë kundër Besëlidhjes, ku Erzeni fitoi 0-3, trajneri Kapllani provoi formacionin që mendohet se do të luajë edhe në Rrogozhinë.

MERKATO – Nga skuadra shijakase janë larguar deri më tani dy lojtarë si kosovari Progon Maloku dhe senegalezi Thierno Thiub, të cilët më së shumti kanë qenë zëvendësues në 15 javët e para të kampionatit.

Njëkohësisht me ekipin si përforcime të merkatos së janarit janë bashkuar sulmuesi Dejvid Kapllani, si dhe mesfushorët Elvis Kovaçi dhe Shefki Aliti.

Klubi po punon për të bërë të tjera lëvizje në ditët në vijim, kur synohet një mbrojtës i djathtë, teksa është përfolur shkodrani që luan në Itali, Marjan Gurini.

Megjithatë, zyrtarisht nga ana e klubit nuk është njoftuar ende asnjë kontratë e firmosur.