“Edhe pse disa kampionate kanë vendosur të mos zbresin më në fushë për këtë sezon, besoj se ekipet e tyre që janë të impenjuara në kompeticionet europiane (Champions apo Europa League) do të luajnë, gjithsesi.”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, në një intervistë për “Radio Kiss Kiss Napoli, u shpreh:

“Në Shqipëri ne jemi në kontakte të ngushta me qeverinë dhe Komitetin Shkencor. Kemi për qëllim ta rinisim sezonin në fund të majit. Është e pamendueshme që të ndiqet e njëjta linjë në të gjithë Europën. Numri i të infektuarve ndryshon nga vendi në vend.”

Në të njëjtën linjë me fjalët e Dukës, pak me herët është prononcuar edhe presidenti i PSG-së, Naser Al Khelaifi.

“Në dakordësi me UEFA-n, duhet të marrim pjesë në fazën finale të Championsit në vendet dhe datat që mbeten për t’u përcaktuar. Nëse nuk do të jetë e mundur për të luajtur në Francë, jemi gati t’i zhvillojmë ndeshjet tona jashtë vendit, duke garantuar masat e sigurisë shëndetësore për lojtarët dhe stafin tonë.”