Erzeni mposhti dje 1-0 Laçin për javën e pestë në Superligë. Një gol i Kahrimanovic në fundin e sfidës nga pika e bardhë e penalltisë bëri që djemtë e Kapllanit të merrnin pikët e plota dhe përkohësisht kreun e klasifikimit në elitën e Shqipërisë.

Shijakasit janë për rekord në Europë, pasi në ligat kryesore të Kontinentit të Vjetër nuk ka asnjë ekip që ende mos ketë pësuar gol. Me Erzenin përafrohet Villareal në Spanjë, që pas shtatë javësh ka pësuar vetëm një gol.

Në pesë takime, Erzeni ka tre fitore dhe dy barazime, duke shënuar tre gola dhe mbajtur portën të paprekur, kjo edhe falë Xhikës dhe mbrojtjes së hekurt.

Edhe fanatiku më i madh i Erzenit s’e kishte menduar se skuadra shijakase, formatuar afro 50 ditë më parë do ishte në krye të Superligës pas pesë dueleve, duke mos pësuar dhe treguar një lojë grupi./newsport/