Njeriu që ka drejtuar peshëngritjen shqiptare prej 12 vitesh, shkodrani Esat Ademi është zgjedhur të mbajë postin e presidentit të nderit të kësaj Federate. Vendimi është marrë në Asamblenë Zgjedhore të kësaj Federate zhvilluar sot në Tiranë. Presidenti Esat Ademi falënderoi të pranishmit dhe konfirmoi edhe një herë largimin e tij nga drejtimi i Federatës. “Për mua ka qenë nder që kam drejtuar peshëngritjen për 3 mandate. Tani shpresoj që në krye të Federatës të vijë një njeri me vizion dhe të ardhme, ndërkohë që unë do të vijoj detyrat e mia në bordin ekzekutiv të Federatës Botërore dhe asaj Europiane të Peshëngritjes”, – tha Ademi.

Pas votimit të bërë, fitues ka rezultuar të jetë një nga njerëzit e mbështetur nga vetë Ademi për këtë post, pikërisht Elez Gjoza. Ai ka marrë 11 vota përballë 5 votave të kandidatit tjetër Theodor Masllavica. Bashkë me zgjedhjen e presidentit të ri, janë bërë edhe zgjedhjet për anëtarë kryesie, ku Asim Belinova i propozuar nga klubi Vllaznia është zgjedhur sërish ai anëtar i saj teksa ka arritur të marrë 11 vota duke qenë një nga më të votuarit e kësaj Asambleje.
www.shkodrasport.com