Esat Mala, mesfushori me tipare sulmuese i Vllaznisë, është optimist për një kualifikim të ekipit kuqeblu në sfidën e sotme ndaj Bylisit. Në një prononcim për mediat, ai tregon se skuadra duhet të bëjë kujdes në mënyrë që të mos ia vështirësojë punën vetes. Ai ka folur edhe për rezultatin zhgënjyes ndaj Erzenit, por beson se skuadra ka forca për të arritur sërish te fitoret si në Kupë dhe Kampionat.


Sa zhgënjyese ishte për ju humbja ndaj Erzenit?

Futbolli nganjëherë edhe të zhgënjen. Ti mendon që ke dhënë më të mirën dhe realisht jep më të mirën dhe shpreson se do ta fitosh një ndeshje, por në fund ndodh e kundërta. Jam i kënaqur për atë që treguam në fushë, për luftën dhe karakterin, pastaj normalisht që rezultati ishte zhgënjyes. Për atë luftë që bëmë, besoj se rezultati duhet të ishte i kundërt. Tani duhet të harrojmë atë që kaloi dhe të shikojmë për ndeshjet e ardhshme.


Si për ironi të fatit, golat e Malës nuk e ndihmojnë ekipin për të arritur fitore…

Ndihem vërtet mirë kur shënoj, por nuk ndihem mirë kur këto gola nuk e ndihmojnë skuadrën për të shkuar te fitorja. Megjithatë, shpresoj që të shënoj dhe të kontribuoj sa më shumë për skuadrën.

Ua bën më të lehtë përballjen ndaj Bylisit fitorja 2- 0 e ndeshjes e së parë?

Jo, në asnjë mënyrë ne nuk do ta marrim si një ndeshje të përfunduar dhe si një sfidë të kryer. Janë kthyer rezultate dhe më të thella, prandaj ne duhet që të bëjmë kujdes në këtë takim dhe duhet që të luftojmë sërish. Ne nuk do ta lëshojmë atë avantazh me dy gola që kemi. Duhet të bëjmë një kthesë edhe në rezultate, pavarësisht se kjo është një ndeshje Kupe.


Bylisi vjen me dy shkodranë në formacion dhe një “ish” si Adili. Si e komentoni këtë fakt?

Bylisi ka treguar se di të luajë futboll. Shkodra do t’i respektojë ata lojtarë se i ka të vetët, por normalisht edhe ato do të vijnë që të respektojnë punën e tyre. Shpresoj që të bëjmë një lojë të mirë të dy palët, por në fund të dalim ne me një fitore.

Keni një koment për Adilin konkretisht?

Nuk kam luajtur asnjëherë në një skuadër me të. E respektoj si kundërshtar dhe si lojtar. Shpresoj që të argëtohet edhe ai në këtë ndeshje, pasi ka kaluar dy vite te Vllaznia.


Në turin tjetër ju pret Partizani, keni filluar të mendoni për këtë ndeshje?

Është shumë herët. Edhe nëse kualifikohemi, që besoj se do ta bëjmë një gjë të tillë, ndeshjet e tjera të Kupës janë në një periudhë tjetër dhe them se është shumë herët për të menduar për të. Ta kalojmë njëherë këtë ndeshje, pastaj me kismet.

Si jeni ndier në këto muaj te Vllaznia?

Në këtë periudhë gjashtëmujore mund të them se ndihem shumë mirë. Jam afruar nga të gjithë, si nga skuadra, stafi dhe nga qytetarët e Shkodrës dhe shpresoj të vijoj kështu dhe me një triumf në fund. Çfarë triumfi? Në të dyja objektivat ku po luftojmë.