Kombëtarja shqiptare e femrave është në ditën e katërt të grumbullimit në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e eliminatoreve të Botërorit “Australi – Zelandë e Re”. Vajzat e grumbulluara nga trajneri Armir Grima vazhdojnë stërvitjen në Durrës, teksa të enjten do të përballen në sfidën e parë ndaj Armenisë në “Air Albania” të Tiranës.
Situata në grup është mjaft optimiste dhe këtë e konfirmojnë edhe dy nga vajzat e kombëtares, Esmeralda Franja dhe Luçije Gjini, të cilët besojnë shumë te një rezultat pozitiv ndaj armeneve.
Duke folur për Fshf.org, Franja thotë se Armenia është një kundërshtar shumë i fortë, teksa beson se Shqipëria e femrave është në gjendje të marrë tre pikët në këtë sfidë.
“Është gjithmonë kënaqësi e madhe të vish në grumbullim me Kombëtaren. Është një privilegj I madh që të grumbullohesh me Kombëtaren e vendit tënd. Gjendja e ekipit mendoj se është shumë e mirë, pasi vijmë nga fillimi i kampionatit shqiptar, mendoj se të gjitha vajzat janë me stërvitje dhe do të bëjmë një paraqitje sa më të mirë.
Ndeshjen e parë e kemi ndaj Armenisë. Natyrisht që synimi ynë për këtë ndeshje është fitorja, pastaj me Poloninë, do të shohim. Është një ekip shumë i fortë, por natyrisht do të japim maksimumin për të marrë edhe aty fitoren. Objektivi është që të ngjitemi sa më lart, sepse Federata ka bërë gjithmonë investime të mëdha në futbollin e femrave dhe ne duhet t’ua shpërblejmë, të jemi sa më lart.
Besoj se ëndrra e të gjitha futbollisteve është që të kualifikohen në kompeticionet e mëdha si Europian dhe Botëror. Kjo është ëndrra ime më e madhe me Kombëtaren. Shpresoj një ditë t’ia dalim!”, -shprehet Franja.