Skënderbeu luajti dje në transfertë kundër Teutës, ndeshje e vlefshme për javën e nëntë të Superiores. Sfida përfundoi me rezultatin 2-2, ndërsa presidenti Ardjan Takaj duket se ka kontestime për gjykimin. Ndryshe nga më parë, kreu i klubit korçar ka zgjedhur të reagojë krejtësisht në mënyrë të heshtur.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai sjell në vëmendje ndeshjen e para 4 viteve në Kukës, ku ishte arbitër Enea Jorgji. Në atë sfidë që vendosi fatet e titullit kampion, Hamdi Salihi grisi kartonin e kuq të gjyqtarit elbasanas si dhe trajneri i korçarëve asokohe, Ilir Daja tentoi të hynte në fushë.

Vetëm për futboll s’u fol më në “Zeqir Ymeri” dhe pas takimit kontestimi ishte i madh nga ana e klubit korçar. Edhe dje, Skënderbeu pati pretendime ndaj Jorgjit. Dhe si për analogji, presidenti Takaj risjell edhe një herë në qendër të vëmendjes një nga skenat më të turpshme të futbollit shqiptar.

“O Enea Jorgji kur do ndalosh? Ne nuk kemi harruar”, shkruan Takaj në diçiturën e videos së postuar.