Trajneri shkodran Eugent Zeka që jeton në Itali, ka arritur suksesin e parë në pankinë gjatë karrierës së tij. 38 vjeçari që ka marrë edhe liçensën UEFA PRO të trajnimit pikërisht në Koverçiano, të shtunën, në fund të kampionatit rajonal të juniorëve (mosha deri 20 vjeç) ka arritur të zërë vendin e parë dhe të shpallet kampion me ekipin e tij Sestrin Levante. Zeka është trajneri i parë i këtij ekipi. Suksesi i këtij ekipi ka bërë bujë në qytezën me të njëjtin emër, që ndodhet jo shumë larg Xhenoas. Duke iu referuar këtij suksesi, siti genova24.it do të shkruante: “Suksesi i Sestri Levantes të Eugent Zekës, është një sukses historik. Pas 35 vitesh, ky ekip merr një titull të dytë pasi titulli tjetër ishte marrë më 1977”. Komente të shumta edhe nga gazeta të tjera lokale, radio e tv. Që do të thote se është një sukses jo i vogël për trajnerin shqiptar. Siç kemi shkruar edhe më parë në gazetën tonë, Zeka ka shkuar vetëm në vitin 1998 në Itali dhe pasi ka luajtur futboll për disa vite me ekipe të kategorive të ulëta, i ka hyrë fushës së trajnimit duke marrë të gjitha liçensat e mundshme. Të fundit, atë UEFA PRO e ka marrë në vitin 2009. Ai është duke punuar tek klubi Sestri Levante që merr pjesë në kategorinë “Eccellenza ku është ndihmëstrajner i ekipit të parë (trajner i parë është braziliani i mirënjohur Juary), është trajner i parë i ekipit të juniorëve (deri 20 vjeç) dhe kordinator teknik i gjithë Akademisë së futbollit të këtij klubi. Duket qartë se drejtuesit i kanë besuar jo pak këtij shqiptari të shkollur në Itali. Për këtë arsye, suksesi i tij me ekipin e juniorëve ka bërë jo pak bujë. Me 55 pikë të grumbulluara, Sestri Levante ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampion rajonal. E rëndësishme mbi të gjitha është se kjo skuadër tashmë ka filluar të quhet Sestri Levante e Eugent Zekës. Karriera e tij ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me shumë siguri do njohë rritje vazhdimisht sepse aftësitë për të bërë gjëra të mira, ai i ka.

www.shkodrasport.com