Rikthehet “klasikja” shqiptare. Në mitikun “Loro Boriçi” do të zbresin sot në orën 18:00 Vllaznia dhe Tirana për të luajtur ndeshjen e 182-të mes tyre. Një sfidë që interesin e ka të garantuar, por mbi të gjitha edhe spektaklin. Të dyja lakmojnë fitoren, por barazimi assesi nuk do të sillte dramë.

Shkodranët kërkojnë katapultimin në renditje. Vendi i 7-të nuk sjell qetësi, ndaj një trepikësh do të vlente jo vetëm për t’iu larguar zonës së rrezikut, por edhe për të mbajtur ritmin e pretendenteve. Me ngjeshjen që ka kampionati këtë sezon, çdo gjë mund të ndodhë.

Ndaj edhe kuqeblutë do bëjnë çmos që të mbledhin pikët e domosdoshme për të tentuar zonën “Euro”. Dhe ku më mirë se ndaj bardhebluve mund të fitojnë vetëbesimin dhe t’u japin fund luhatjeve të vazhdueshme.

Nëse ndalin kundërshtarin që numëron 7 fitore radhazi (6 në kampionat dhe një në Kupë), do të thyhej edhe tersi që i përndjek në mes të Shkodrës nga dritat e projektorëve. Një test pjekurie do të jetë pa diskutim edhe për Tiranën.

Nëse nën drejtimin e Emanuel Egbosë do të siguronin një tjetër triumf, atëherë do të konfirmoheshin jo vetëm si një nga pretendentët kryesorë për titull, por edhe si një ekip i frikshëm për çdo rival. Bardheblutë nuk duan hapa falsë, pasi shpresojnë që të kapin kreun ndoshta këtë javë. Një ndalesë e Kukësit me Laçin, do t’i ngjiste në vendin e parë.