Laçi i femrave ose me saktë Atletik Klub që ka marrë ngjyrat dhe emrin e kurbinasve ka pasur një ecuri që mund të quhet pozitive në këtë kampionat. Kapitenia, Fabiola Caka ka folur për objektivat e këtij ekipi. E po ashtu ka vlerësuar edhe punën që bëhet aty. Ku frytet shihen, pasi 3 vajza janë pjesë e kombëtareve të moshave nga kjo skuadër.

Caka tha: “Jemi në vitin e dytë të këtij projekti dhe besoj se kemi bërë gjëra pozitive. Ne kemi vajza shumë të reja në moshë në përbërje të skuadrës. Mund të them se jemi skuadra më e re ndoshta në kampionat dhe ia kemi dalë shumë mirë mbanë deri më tani.

Ne kemi objektivat tonë këtë sezon, ku ngelet pozicionimi në vendin e 5-të të renditjes. Pastaj në sezonin që vjen patjetër që kemi ambicie më të mëdha. Dua të vlerësoj punën që bëjnë trajnerët Elis Legata dhe Robert Karma tek vajzat.

Ata janë gjithmonë aty dhe po ashtu një përkrahje shumë e madhe për ne. Po ashtu një falenderim shkon edhe për presidentin tonë, Elton Bungaja që ndonëse banon në SHBA, është gjithmonë pranë nesh duke na mbështetur maksimalisht. Puna e skuadrës shihet sepse ne kemi 3 vajza në ekipet e moshave të kombëtareve.

Kjo na bën shumë krenare dhe na motivon patjetër akoma më shumë për të punuar në të ardhmen. Për të vijuar këtë projekt e për të rritur akoma më shumë sukseset në të ardhmen”.
Endri ÇINARI