Një gol i brazilianit Silva në pjesën e parë i ka mjaftuar Basanias për të marrë një fitore shumë të rëndësishme ndaj një rivali direkt si Prestige. Ndeshja e luajtur mbrëmjen e sotme në kompleksin sportiv “Internacional” të kryeqytetit është mbyllur me fitoren 1-0 të ekipit nga Bushati i cili me këtë trepikësh ngjitet në vendin e parë të renditjes pas javës së 11-të të kampionatit.

Ndeshja nisi më mirë për Prestige e cila arriti të krijonte më shumë volum loje, por edhe pati ndonjë mundësi shënimi në portën e Markut, por pa sukses. Megjithatë në minutën e 42-të ndeshja do të merrte rrjedhë tjetër.

Pas një kundërsulmi të shpejtë, Mila fut bukur një top në korridor për brazilianin Leonardo Henrique Silva i cili gjuajti saktë tokazi dhe ai përfundon në rrjetë. Një gol që padyshim entuziasmoi të gjithë në kampin e Basanias, të cilët mezi e prisnin atë. Pjesa e parë në këtë mënyrë do të mbyllej 1-0 për të.

Në pjesën e dytë skuadra e trajnerit Hasanaj i kushtoi më shumë rëndësi mbrojtjes, por duke kërkuar herëpashere edhe kundërsulmin e shpejtë me Milën e Soumah dhe kështu arriti ta mbante skuadrën e Prestige larg portës së saj. Minutat kalojnë dhe asgjë nuk ndryshon.

Përfundimisht 1-0 për Basania që me këtë fitore ngjitet në kuotën e 23 pikëve dhe kryeson e vetme renditjen, e ndjekur nga Eagle, Bulqiza dhe Arnisa, secila me nga 21 pikë.

Basania luajti sot me këtë formacion: F. Marku, Nikshiqi, Shema, Zagani, Zefi, Dodani, Shimaj, Hoffmann, Mila, Silva, Soumah. Trajner Fatjon Hasanaj. U aktivizuan edhe Kola, Leka, Radohina, Paulo Roberto.