Lajme të mira për dashamirësit e sportit të atletikës në Shkodër. Kampionati kombëtar I atletikës për të rritur sivjet do të zhvillohet pikërisht në këtë qytet. Kjo ndodh pas shumë e shumë vitesh dhe në fakt, një vendim I tillë I marrë nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Atletikës ka qenë I kushtëzuar nga disa rrethana.

Megjithatë e favorshme është që kampionati do të zhvillohet në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”, pikërisht një muaj pas një tjetër aktiviteti që u zhvillua aty, kupës së 100 vjetorit të Vllaznisë, që u shoqërua edhe me një interesim të madh të sportdashësve shkodranë.

Garat do të zhvillohen ditën e shtunë dhe të dielë.Të gjitha garat e atletikës prej disa vitesh zhvillohen në “Elbasan Arena” por këtë herë duket se ka qenë Federata Shqiptare e Futbollit ajo që ka nxjerrë pengesa.

Vendosja e disa reklamave për ndeshjet ndërkombëtare të ekipit tonë kombëtar, ka bërë që në stadium të mos ekzistojnë kushtet për zhvillimin normal të garave të atletikës.

Për këtë arsye, edhe kampionati I 20 vjeçarëve u spostua për në Korçë, ndërsa kampionati I të rriturve pritet të zhvillohet në Shkodër. Kampionat në të cilin Vllaznia do të synojë fitimin e titullit të 11-të kampion rradhazi.
© shkodrasport.com