Kampionati kombëtar i boksit për këtë vit do të zhvillohet në Shkodër. Kështu ka vendosur kryesia e kësaj Federate në mbledhjen e saj të ditëve të fundit, pasi më parë është mbledhur edhe këshilli i trajnerëve dhe ka vendosur në këtë mënyrë. Madje përveç kampionatit të të rriturve, në Shkodër do të zhvillohet edhe kampionati i 18 vjeçarëve. Natyrisht që një vendim i tillë është i favorshëm për sportdashësit shkodranë të cilët do të kenë mundësinë të shohin në ringun e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” boksierët më të mirë të vendit. Ndërkohë, Kupa e Shqipërisë është rënë dakord që të zhvillohet në Vlorë por nuk ka datë të përcaktuar ngaqë ka një dilemë për ta zhvilluar në nëntor apo dhjetor. Në krahasim me të, për kampionatet është vendosur.  Të dy këto kampionate do të zhvillohen gjatë muajit tetor.I pari do të zhvillohet kampionati i 18 vjeçarëve, pikërisht në datat 1-4 tetor ndërsa ai i të rriturve në datat 22-25 tetor. Sigurisht që vëmendja do të jetë e përqendruar tek kampionati i të rriturve ku Vllaznia patjetër që do të synojë fitimin e titullit kampion, titull ky që do të jetë i 20-ti për këtë ekip. Boksierët shkodranë nën drejtimin e trajnerit Zef Gjoni kanë kohë që përgatiten për këtë aktivitet dhe në ditët në vazhdim, do të ketë edhe një grumbullim disaditor.
Gjergj KOLA