Në Itali kanë nisur stërvitjen e diferencuar nën masa maksimale higjienike të gjithë klubet e Serisë A, megjithatë ende nuk dihet nëse dhe kur do të ristartojnë ndeshjet e mbetura të sezonit 2019-2020.

Paraprakisht është “ndezur drita jeshile”, teksa duke filluar nga java e ardhshme, të nisin stërvitjet në grupe me nga 5 lojtarë dhe të vijohet kështu duke shtuar numrin deri në stërvitjet e plota në grup, në pritje të miratimit të një date për nisjen e ndeshjeve.

Federata Italiane e Futbollit ka bërë edhe ndryshimet e rekomanduara në protokollin e sigurisë dhe e ka dorëzuar atë pranë ministrive italiane të Shëndetësisë dhe të Sporteve.

Tani mbetet në dorë të dy ministrave përkatës, Speranza e Spadafora, që të ulen në tryezë me kryeministrin Conte dhe Komitetin Teknik të menaxhimit të pandemisë, për të vendosur një datë për rifillimin e kampionatit italian.

Megjithatë rruga drejt rifillimit të kampionatit është ende e gjatë, pasi tani pritet që të vijë miratimi, ndërsa zv. Sekretari i Shëndetit Publik, Mario Zampa, deklaroi se ndryshimet në protokoll ishin të domosdoshme dhe se nuk duhet vënë në rrezik jeta e askujt.

“Flitet për humbje të mëdha nëse nuk rifillon kampionati, por protokolli është shumë i rëndësishëm për të ruajtur jetën e njerëzve. Kemi vendosur që klubet të qëndrojnë të izoluara dhe nëse një lojtar i vetëm do të rezultojë pozitiv, atëherë do të ndërpritet kampionati për të paktën dy javë”, deklaroi Zampa.