Në shortin e Europianit në Frankfurt, ku Shqipëria mësoi kundërshtarët e kualifikueseve, ai u shfaq përkrah kreut të FSHF-së, Armand Duka, por deri tani nuk ka asnjë gjë zyrtare nëse do të ketë një rinovim me italianin, edhe pse gjasat janë të vështira që Edi Reja të vazhdojë në stolin e Kombëtares.

Në prononcimin e fundit pas shortit, Reja u shpreh se duhet të mbaronte njëherë kontratën aktuale, e cila është deri më 26 nëntor, dhe pastaj do të ulet të flasë me presidentin e federatës. Ndërkohë, një prej emrave që është përfolur si pasuesi i tij, është ai i ish-lojtarit të kombëtares italiane, Luixhi di Biaxho.

77-VJETORI- Në datën 10 tetor, Edoardo Reja festoi 77- vjetorin e lindjes. Një karrierë e gjatë në drejtim, duke nisur nga viti 1979 dhe deri më sot, në më shumë se 40 vite.

Përvoja e gjatë e “komanduesit” është pa trofe: Molinela, Monseliçe, Pordenone, Pro Goricia, Trevizo, Mestre, Vareze, Peskara, Kozenca, Verona, Bolonja, Leçe, Bresha, Torino, Viçenca, Xhenoa, Katania, Kaljari, Napoli, Hajduk Splip (verë 2009-shkurt 2010), Lacio dhe Atalanta me një total prej 916 takimesh si trajner, plus 34 deri tani me Kombëtaren shqiptare.

Italiani i katërt në stolin kuqezi pas Dosenës, De Biazit dhe Panuçit. Një çiklist i zoti kur shkonte me pushime festoi 77-vjetorin dhe njëkohësisht trajneri i dytë më i vjetër në botë pas Mirkea Luçeskut të Dinamo Kievit.

REJA- Me rastin e datëlindjes, trajneri i Kombëtares shqiptare ka dhënë edhe një prononcim në “Lazio Style Radio”, duke lënë të kuptohet se ka energji akoma për të vazhduar detyrën, pasi edhe siç shprehet, ekipi kombëtar ka më pak impenjime sesa një klub, që të duhet të stërvisësh çdo ditë:

“Sa vjeç ndihem? Vazhdoj përpara, për aq kohë sa ndihem mirë. Në Shqipëri argëtohem, kjo sepse impenjimi është relativ dhe nuk trajnoj çdo ditë. Ka shumë entuziazëm dhe shumë dëshirë aty”, shprehet fillimisht Reja, i cili ka një bilanc të barabartë në krye të stolit kuqezi, me 13 fitore, 8 barazime dhe 13 humbje gjithsej që prej vitit 2019 kur mori këtë detyrë.

Tekniku u ngacmua edhe për ekipin e Elseid Hysajt, Lacion, që ai e ka trajnuar vite më përpara, duke kujtuar edhe fitimin e një derbi me Romën e Kumbullës.

“Sigurisht që është një nga kujtimet më të bukura në karrierën time. Herë pas here i hap dhe i shoh ato momente. Të fitosh një derbi në minutën e 93-të ka qenë një gjë e jashtëzakonshme”, ka përfunduar Reja.