Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, duke folur për Ligjin e Sponsorizimit në sport, deklaroi se në Shqipëri nuk duhet që një person i vetëm të mbajë një klub futbolli.

Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Ylli deklaroi se futbolli është një industri dhe do shumë njerëz të fuqishëm për të ecur lart.

Reformat janë të dhimbshme. Duhet të falimentosh njëherë si Milani, që vajti Berlusconi e mori në gjykatë. 33% kishte ai, kishte edhe tifozët brenda. Bëri një Milan që e çoi në Champions League. Një njeri nuk mund të mbajë një klub futbolli, as Gaz Demi, as ai i Laçit, as ai i Fierit. Futbolli është një industri, është një vrimë e zezë, që do shumë njerëz të fuqishëm, ta ndërtojnë klubin në logjikë njëherë.

Ylli u shpreh se Kombëtarja shkoi në Europian, por nuk kishte asnjë futbollist që luante në Shqipëri. Më tej ai deklaroi se ndjen keqardhje, për presidentin e Partizanit, Gazment Demi, i cili ka investuar i vetëm për të ngritur klubin kryeqytetas.

Unë kam qenë në krahun e futbollit, Ligji i Sponsorizimit është i domosdoshëm. Nuk dua t’ia di as për qeveri as për Edi Ramën, kur bëhet fjalë për sportin. Megjithatë duhet të jemi me këmbë në tokë. Nuk është futboll ky që bëhet këtu. Më vjen keq mua për këta. Nuk shkon dot më lart. Kemi vajtur në Europian, me asnjë lojtar nga Shqipëria, por me ata që luajnë në Europë. Futbolli duhet këtu në bazë.

Sporti do mend dhe vizion. Duhet të thithësh sponsorë dhe të rritesh. Më vjen keq për Gaz Demin, se ka lënë leshtë të Partizani, që po bën një gjë të madhe. Është në vështirësi që një njeri i vetëm, të investojë me paratë e familjes te futbolli. Prandaj them që duhen bashkuar fuqitë dhe të bëhen 4 veta për një klub, siç ka qenë Tirana dikur, që mori 4-5 biznesmenë dhe e ngjitën lart.

Qeveria jep 10 milionë bashkive për sportin dhe të gjitha hidhen të futbolli. Si e blejnë një lojtar në Kategorinë e Dytë, ku i gjejnë lekët?! Ne themi të fillojë një reformë. Futbolli mund të mbahet me biznese. Këta duan akoma lëmoshë nga bashkia.

Të investohet më pas në terrene sportive, se të gjithë terrenet janë bërë pallate, nuk ka fushë ku të luajnë fëmijët.