Tashmë, është bërë e ditur se Kupa e Botës në vitin 2022 do të përbëjë një revolucion për këtë kompeticioni pasi për herë të parë do të luhet në stinën e dimrit. Kushtet atmosferike në Katar, e bëjnë të pamundur këtë kampionat botëror të zhvillohet normalisht në verë, teksa temperaturat shkojnë në ekstremet më të larta.

Në këtë formë, Botërori do të startojë në datën 21 nëntor, ndërsa finalja e madhe është parashikuar të zhvillohet më datë 18 dhjetor. Kjo do të sjellë shumë probleme për kampionatet europiane të cilët janë në mes të sezonit. Ditën e sotme, FIFA ka zyrtarizuar edhe ditën se kur futbollistët e grumbulluar duhet të jenë në kombëtare.

Kështu, lojtarët e grumbulluar do t’i bashkohen Kombëtareve një javë para fillimit të turneut, më datë 14 nëntor. Kështu, nëse nuk ka ndryshime, atëherë kampionatet do të ndërpriten për një periudhë pesë deri në gjashtë javë, ndërsa Liga e Kampionëve dhe Liga e Europës nuk do të mund të zhvillojnë dy javët e fundit të fazës së grupeve. /VipSport/