Menaxheri i Marash Kumbullës, Xhani Vitali, kthehet të flasë përsëri dhe këtë radhë jo vetëm për paraqitjet që po dhuron djaloshi i talentuar me fanellën e Veronës.

Menaxheri këtë herë është kthyer të flasë për fanellën kuqezi të cilën ka vendosur të veshë djaloshi, duke mos pritur ndonjë ftesë të mundshme nga një kombëtare me shumë emër si Italia.

“Kombëtarja shqiptare është ajo që e ka ftuar gjithmonë, prej shumë vitesh po bie në sy me fanellën e saj në nivel ndërkombëtar. Shqipëria ka besuar gjithmonë te ai, ndërsa Italia ka bërë zgjedhje të tjera”, shpjegoi Vitali për mediat italiane.

Më pas, ai ka folur edhe për merkaton, duke bërë të qartë se lojtari nuk kishte ndër mend të ndryshonte ambient edhe nëse kërkohej nga një ekip i madh në janar. “Nuk e mohoj që ka mbi të sytë e shumë skuadrave, është normale dhe ngjall interes.

Por e ka mendjen të përqendruar te Verona, ndaj në janar nuk do të lëvizë. Të shohim në verë se çfarë do të ndodhë”, tha menaxheri i mbrojtësit të ri. /vipsport/