Në një skenar lufte, me një buletin plot njerëz të vdekur dhe të infektuar, futbolli fillon të ndërmarrë hapat e tij të parë drejt rifillimit: Presidenti i FIGC (Federata Italiane Futbollit), Gabriele Gravina, tashmë e ka ritheksuar qëllimin e tij të vendosur për ta përfunduar sezonin me çdo kusht.

Kjo duke i hapur mundësinë edhe të luajturit të të gjitha ndeshjeve të kampionatit në qendër dhe jug të vendit, duke përjashtuar zonat e veriut, të cilat përfaqësojnë vatrat më të prekura nga “Coronavirus”.

“E vështirë të luash në Bergamo? Po. Edhe në Milano, Brescia apo Kremona. Një kampionat pa ndeshje në veri është një mundësi”, – tha Gravina. Një veprim që, siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, nuk mbështetet nga Interi dhe Milani.

Të dyja klubet milaneze nuk duan të heqin dorë nga të luajturit e ndeshjeve në shtëpi, në “San Siro”, të vetëdijshëm se lëvizja në një lokacion tjetër do të krijonte vështirësi organizative dhe rritje të konsiderueshme të kostove.

As Atalanta, tani për tani, nuk e ka marrë në konsideratë idenë e braktisjes së stadiumit të vet. Gjithçka mund të ndryshojë, nëse ndalimi për të luajtur në zonat më të infektuara do të vinte nga qeveria, ose rajoni në rrezik.

Në këtë rast, klubet do të detyroheshin të merrnin parasysh idenë për te lëvizur diku tjetër, të zgjidhnin një lokacion tjetër, në të cilët do t’i luanin ndeshjet si pritës. Ka edhe nga ata, si presidenti i Brescia, Cellino, që preferojnë ta mbyllin përfundimisht sezonin aktual, për t’u përqendruar tek i ardhshmi. Sidoqoftë, siç shpjegohet nga Gravina, futbolli italian nuk mund ta përballojë një zgjidhje të tillë./telesport/