Në vendimet e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së para startit të këtij sezoni, u miratuan edhe shpërblimet për ekipin fitues të kampionatit. Në ndryshim nga e kaluara, Federata ka stimuluar ato skuadra që mbyllin kampionatin në vendet 2, 3 dhe 4.

Në bazë të asaj që është parashikuar në rregulloren e aktivitetit, konfirmohet se përveç 100 milionë lekëve të vjetër, në formën e një çeku bankar që ka marrë historikisht klubi kampion, tashmë do të ketë edhe bonuse për fazën “Final 4”.

Respektivisht vendi i parë do të marrë edhe 100 milionë lekë të vjetër shtesë, ndërsa vendi i dytë 70 milionë lekë të vjetër. Vendi i tretë përfiton 50 milionë lekë të vjetër, ndërsa vendi i katërt 20 milionë lekë të vjetër.

Ndërkohë, shpërblimi për fituesin e Kupës së Shqipërisë vazhdon të jetë 50 milionë lekë të vjetër. Kjo shifër vijon të jetë në fuqi prej dy dekadash.