Vllaznia-Laçi do jetë ndeshja e fundit e këtij edicioni në futbollin shqiptar. Dy ekipet veriore do jenë përballë nesër, në finalen e kupës së Shqipërisë. Takimi do zhvillohet në kryeqytet, në orën 19:00 dhe në stadiumin “Air Albania”. Një ndeshje që do shohë përballë dy nga skuadrat më cilësore të këtij sezoni.

Por kjo nuk do jetë një sfidë mes dy ekipeve, por edhe mes dy trajnerëve. Tek Vllaznia tashmë drejton Mirel Josa, i cili ktheu në shinat e duhura sezonin e laçianëve, por në mënyrë të papritur u largua nga drejtimi i kurbinasve para pak muajsh. Tashmë bardhezinjtë i udhëheq një tjetër trajner nga kryeqyteti, Shpëtim Duro, një tjetër ekspert i futbollit tonë e po ashtu një ish-trajner i Vllaznisë.

Të dy trajnerët njihen mirë mes tyre dhe duelet në të shkuarën kanë qenë të shumtë. Sfida mes tyre mund ti ngjasojë pak edhe derbit të kryeqytetit. Ku Mirel Josa si futbollist apo edhe si trajner ka marrë suksese të shumta me fanellën e Tiranës e nga ana tjetër Shpëtim Duro njihet si një figurë shumë e njohur dhe e nderuar në klubin e futbollit Partizani.

Një “derbi” brenda sfidës mes dy trajnerëve që në të shkuarën kanë drejtuar shpesh ekipe të njëjta. Ku të dy njihen për periudhat e tyre tek Vllaznia, Laçi, Kukësi apo edhe Skënderbeu. Tashmë nesër do jetë një tjetër duel mes dy profesorëve të futbollit tonë, që pritet ti shtojë akoma edhe më tepër bukurinë finales së kupës.

Endri ÇINARI