Që humbjet nuk kanë “shijen” e fitoreve apo që fitoret nuk u ngjajnë humbjeve, këtë e di gjithkush. Fatkeqësisht apo fatmirësisht kombëtarja jonë brenda 4 ditëve i provoj të dyja. Humbi ndaj Islandës dhe fitoj ndaj Sllovenisë. Duke pasur parasysh se ndeshjet u luajtën të dyja në fushën tone, që sollën pra edhe dy rezultate të ndryshme, mendoj se reagimi ka qenë i drejtë. Kritikat për humbjen e kombëtares sonë ndaj Islandës ishin më së të drejta. Populli ynë ka një fjalë të urtë: “Ai që të don, të flet”. Por me sa duket edhe ato kritika të drejta ndaj trajnerit Italian të kombëtares sonë nga specialistë e gazetarë, nuk janë pritur mire nga ky i fundit. Për këtë mjafton të kujtosh fjalët e tij thënë gjatë një interviste për të kuptuar gjithçka rreth këtij problemi, që mua më duket se nuk është i vogël. Po çfarë tha De Biazi?”Pas ndeshjes me Islandën të gjithë na akuzuan dhe na thanë se prekëm fundin, ndërsa tani jemi në majë. Sinqerisht më duhet të them se kam mbetur i zhgënjyer nga disa komente që janë bërë pas humbjes së parë” .
Vërtetë futbolli, si i thonë ka edhe fat por humbja ndaj Islandës ka për të na kushtuar shtrenjtë ndaj kritikat e bërë De Biazit janë të drejta. Sigurisht, që nuk jam me atë sa të mendosh, që me atë humbje humbëm shpresat për kualifikim. Por ama ajo humbje ishte tepër zhgënjyese dhe fajtori kryesor i asaj humbjeje ishte vetë trajneri ynë. Kujtoni formacionin që ai kishte bërë, ku edhe futbollistët nuk luanin në vendet e tyre. Të nxjerrësh konkluzion nga një humbje nuk do të thotë se ke humbur gjithçka. Reflektimi ndaj të metave çoi në atë rezultat pozitiv ndaj Sllovenisë.
Gjithnjë më ka shqetësuar reflektimi i trajnerëve të huaj ndaj problemeve që kanë ngritur specialistët apo gazetarët vendas. Nuk them se të gjithë kanë pasur të drejtë në reagimet e tyre por gjithsesi nuk ka vend për tu ndjerë i zhgënjyer. Ndryshe kemi të bëjmë me një mëndjemadhësi, që importohet nga jashtë apo të qenurit italian. E kam thënë edhe më parë asgjë nuk u mungon specialsitëve tanë për të menduar njësoj si të huajt. Por fatkeqësisht vërej se ende ka një lloj inferioriteti, që edhe ps e kanë kaluar 22 vjet nga hapja e vendit, ende vërehet në shumë fusha. Një prej tyre pa diskutim është futbolli. Fakti që këtë periudhë kohe e kanë dominuar trajnerët e huaj, flet qartë për atë që thashë më sipër. Por ajo që më ka shqetësuar gjithnjë ka qenë dhe është një mbyllje e këtyre trajnerëve. Kur them për mbyllje e kam fjalën sepse nuk mbaj mend, që gjatë gjithë kohës së drejtimit të tyre nuk kam dëgjuar të jetë bërë ndonjë analizë për ndeshjen. Nuk kam dëgjuar që fjalët e ndonjë specialisti shqiptar të jenë reflaktuar në punën e tyre. Qënia i huaj i ka dhënë kësisoj në mënyrë të pamerituar statusin e pamerituar të të diturit. Edhe pse këta të huaj , si në rastin në fjalë, drejtimin e kombëtares së një vendi nuk e kanë parë as në ëndërr.
Është kollaj të justifikohesh duke thënë se në skuadër nuk kemi Mesin, Ronaldon apo Ksavin, por trajneri ynë duhet ta kuptoj se nuk po drejton kombëtaren e botës por kombëtaren e Shqipërisë. Ai si asnjë trajner tjetër, kjo edhe për kushtet që i ka krijuar federata jonë e futbollit, ka luksin të punojë me futbollistë shqiptarë të zgjedhur nga e gjithë bota. Nuk është pak. De Biazi duhet ta kuptojë ndjeshmërinë e kësaj pune. Ne jemi nga ato ekipe , që edhe pse kemi shpenzuar shumë për mundësitë tona, nuk kemi ndjerë ende shijen e një kualifikimi në evenimente të rëndësishme.
Është e vërtetë se futbollistët tanë luajtën mjaft të mobilizuar në të dy ndeshjet. Dhe kjo është meritë e tyre. Ndërkohë që detyra primare e trajnerit është që këtë shpirt sakrifice ta shfrytëzojë në të mirë të punës për të arritur qëllimin e tij dhe tonin njëkohësisht. Kujtoni gëzimin e Roshit pas shënimit të golit. E pra Roshi nuk ishte një zbulim i djeshëm. Disa vite më parë i kam drejtuar një pyetje trajnerit Kuzhe, se përse në kombëtaren e tij nuk bëjnë pjesë lojtarë të tillë të tipit të Roshit. Përgjigja e tij se është ende i ri, nuk më ngrohu por u detyrova ta pranoi sepse ishte ai trajneri i besuar i kombëtares. Më vjen keq kur dikush aktivizimin e futbollistëve të rinj e quan diçka të jashtëzakonëshme apo ia blaton trajnerit si meritë. Ndërrimi i brezave është një domosdoshmëri dhe natyrshëm atë e bën çdo trajner. I takoi De Biazit ta bëjë këtë ndryshim sepse nuk mund të luhej më fjala vjen me Lalën edhe pse ai mbetet një ikonë e futbolliut tonë por mosha bën punën e vet. Ajo që kërkojmë nga trajneri ynë është rezultati, i cili thënë më troç nuk po vjen ashtu siç e duam. Fitorja ndaj Sllovenisë ishte padiskutim një fitore e merituar por nuk është ndonjë fitore e tipit të veçantë. Thjeshtë është në fitore, madje e arritur teksa ndjenim thellë ethet e humbjes së një ndeshjeje më parë apo edhe barazimin që ishte thuajse prezent në ato minuta e jo pak por rreth 20 minuta kundërshtarët tanë e vunë ekipin tonë nën një presion të thellë, aq sa duhet pranuar se atyre iu mohua qartë edhe një penallti. Larg qoftë , po të kishte ndodhur kjo, si do të kishte folur trajneri ynë?.
Flas kështu sepse jemi djegur jo pak prej trajnerëve të huaj. Thuajse të gjithë kanë shprehur se kombëtaren tonë do ta çojnë dikush në eliminatoret e botërorit e dikush në finalet e europianit. Por pas dështimeve të para janë tërhequr, duke thënë se ky është futbolli shqiptar. Thuajse në kët linjë ishte edhe De biazi kur tha se nuk kemi Mesin e Ronaldon. Nuk besoj se ndodkush i ka premtuar trajnerit italian se në kombëtaren shqiptare do të ketë futbollistë të këtij kalibri sepse po të ishte kështu trajneri ynë nuk do të ishte De Biazi por Murinjo ose Guardiola.
Trajneri ynë duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. Është kollaj të thuash ndjehem shqiptar por harron se shqiptarët presin shumë prej tij, presin kualifikimin në eliminatoret e këtij botërori. Për fat edhe shorti na ka rënë i tillë, pra favorizues si asnjëherë tjetër. Ky duhet të jetë objektivi i tij. E ai arrihet me punë , me dije, me guxim. Talentët nuk mungojnë por ato duhen shfrytëzuar, duke zgjedhur më të mirët. Ndeshjet kualifikuese nuk janë prova për njërin apo tjetrin. Ka ardhur koha të kemi një formacion të stabilizuar ashtu siç ndodh edhe me kombëtaret e vendeve të tjera. Sigurisht ndrrime mund të bëhen dhe gjithçka është ekskluzivitet i trajnerit sepse ai përgjigjet për formacionin por edhe për rezultatin ndërsa tek ne mbetet dëshira për të fituar dhe ëndrra për tu kualifikuar.
Fitore nën ethet e humbjes
Opinion nga RAMADAN BIGZA