Erald Çinari, sulmuesi shkodran i Shkëndisë së Tetovës, i gjendur për të kaluar festat në vendlindje, është parë në përballjen e fundit të Vllaznisë në stadiumin “Loro Boriçi”, në atë fitore të thellë ndaj Skënderbeut.

Madje, ai ka ndjekur edhe miqësoren e 30 dhjetorit mes kuqebluve dhe Besëlidhjes. Shumëkush krijoi një ide edhe të një rikthimi tek ekipi prej edhe nga ka dalë. Megjithatë, ai, një rikthim të tillë, e hedh poshtë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Çinari ka besimin e plotë se Vllaznia do të jetë në katërshen e parë në fund të sezonit, por foli edhe për ambiciet e tij me ekipin e Shkëndisë ku edhe bën pjesë.

Sinjale rikthimi këto nga ana e Çinarit?

Unë jam nën kontratë me Shkëndijën aktualisht dhe një rikthim i imi te Vllaznia apo edhe në Superiore për momentin nuk është në plane.

Rikthehemi edhe njëherë te Vllaznia, ku po trajnon me sukses Qatip Osmani. Trajner me të cilin bashkëpunuat sezonin e shkuar te Shkëndija. Çfarë mund të na thoni më tepër për të?

Për profesorin kam një respekt maksimal dhe mund ta them me plot gojën që është një meritë e tij për rezultatet pozitive të Vllaznisë. Jo vetëm si një profesionist, por edhe në aspektin njerëzor ai sjell një harmoni në dhomat e zhveshjes. Prandaj edhe fryma ka ndryshuar së fundmi tek ekipi.

Ku e shihni Vllazninë në fundin e kampionatit? Kë mendoni si fitues të Superiores?

Besoj se Vllaznia do të jetë në garë deri në fund, pasi jam i bindur se do jetë brenda katërshes së parë të kampionatit. Ndërsa si fitues nuk mund të them se shoh një ekip konkret, pasi skuadrat më duken aty-aty në cilësi.