Partizani koleksionoi fitoren e dytë radhazi teksa mposhti në shtëpi Erzenin me rezultatin 2-0. Ndeshja për të kuqtë nisi si mos më keq duke qenë se në minutën e katërt edhe pas konsultimit me VAR, Maguette u ndëshkua me karton të kuq pas një faulli ndaj Kadriut. Gjithsesi, të besuarit e trajnerit Colella nuk e humbën “busullën” në fushë dhe qëndruan si të barabartë.
Madje, gjetën edhe avantazhin në fundin e pjesës së parë teksa Arinaldo Rrapaj ekzekutoi në një mënyrë të shkëlqyer një goditje dënimi duke mos i lënë asnjë shans shpëtimi portierit Xhika.
Ndërkohë, edhe pjesa e dytë nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Partizanin pasi në të 46-tën, gjetën golin me anë të Da silvas. Braziliani shfrytëzoi më së miri një pasim të Mba dhe me një goditje tokazi mposhti portierin kundërshtar.
Të kuqtë nuk u ndalën me kaq, edhe pse në disavantazh numerik. Në minutën e 73-të, trefishuan shifrat me anë të Hotit duke mbyllur çdo llogari për ndeshjen. Me këtë trepikësh, të kuqtë ngjiten në kuotën e 37 pikëve duke u barazuar me Tiranën kryesuese ndërsa nga ana tjetër, shijakasit janë në vend të katërt me 31 pikë.