Flamurtari po noton në ujëra të turbullta dhe kjo tashmë është e qartë. Si të mos mjaftonin rezultatet negative në Kategorinë e Parë, sot është dhënë alarmi për shkrirjen e tij në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Sikurse raporton edhe gazetari Ergys Alushi, Ligji i 1 majit 2020 përcakton qartë afatin përfundimtar për privatizimin e klubit të futbollit.

Një letër e drejtuar nga një grup tifozësh drejt bashkisë së Vlorës duke i treguar rrezikun që i kanoset një prej skuadrave më me histori në vend, ka vënë në lëvizje Këshillin e Bashkisë.

Sot, është diskutuar problematika në fjalë. Është rënë dakord që procedurat për privatizimin e klubit të vendosen në rendin e ditës së mbledhjes së radhës.

Flamurtari rrezikon të humbasë. Ekipi kuqezi i Vlorës është drejt shkrirjes, ashtu sikurse ndodh sot me Luftëtarin e Gjirokastrës. Megjithatë shpresohet të ketë një zgjidhje të shpejtë nga Bashkia e Vlorës për të mos humbur një stemë, simbolin e futbollit vlonjat që ka përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare duke shkruar historinë.