Shpeshherë ëndrrat nuk dalin, por ka edhe raste që realizohen. Madje shumë më shpejt nga sa ti e mendon. Kështu po ndodh edhe me një djalosh nga Kopliku- Enis Çokajn i cili ka filluar të hedhë hapa të rëndësishëm në karrierë. Ka firmosur një kontratë profesioniste në Kroaci me Lokomotiva Zagreb dhe pret që tashmë të luajë me ekipin e parë dhe të tregojë edhe aty vlerat e tij.

Kush është Enis Çokaj
“Karriera ime ka nisur në moshën 10 vjeçare në Koplik, aty ku u rregjistrova në ekipet zinxhir të Veleçikut me trajner Besnik Dulin ku kam luajtur për dy vjet. Më pas kam kaluar tek ekipi i Vrakës me trajner Selami Pepajn ndërsa kam luajtur edhe një vit tek Akademia Vllaznia me trajner Gjon Kolën.

Kam kaluar një periudhë edhe tek AAS ku kam patur trajnerë Entri Çakun dhe Malvin Meçanovin. Ky ka qenë ekipi im i fundit në Shkodër para se të kaloja në Tiranë ku fillova Shkollën e Mjeshtërisë Sportive dhe luajta për tre vjet e gjysëm me ekipin e Shkëndisë ku kama patur trajnerë Genc Mahmutajn, Luan Pinarin dhe Kostiika Sterjon. Tek kjo skuadër kam mbajtur edhe shirtin e kapitenit deri ditën që u largova për në Kroaci”- thotë për gazetën “Shkodra Sport” Çokaj në fillim të rrëfimit të tij.

Kalimi në Kroaci
Padyshim që mbetet diçka shumë interesante mënyra si ky futbollist kaloi në Kroaci, aty ku ka firmosur një kontratë profesionistësh me klubin “Lokomotiva” të Zagrebit. E shpjegon vetë Enisi këtë gjë kur thotë: “Në shkurt të vitit të kaluar, më mundësuan një provë tek ky ekip. Kjo u bë e mundur nga drejtori i Shkollës së Mjeshtërisë Sportive Ermal Tahiri, në bashkëpunim me trajnerin Besnik Prenga që jetonte në këtë vend.

Gjithçka shkoi mirë në këtë provë dhe pas disa ditësh, drejtuesit e Lokomotivës më ofruan të firmosja një kontratë profesionistësh. E bëra këtë gjë dhe për katër vitet e ardhshme do të jem pjesë e saj. Firmosja e kontratës së parë në jetën time dhe për më tepër me një klub kroat, ka qenë një moment që më ka dhuruar shumë emocione.

Ka qenë diçka e veçantë për mua dhe që do të mbesë gjatë në kujtesën time. Në fillim e kisha pak të vështirë të ambjentohesha me ekipin dhe ritmin e lojës, por më pas u përshtata dhe nuk ishte më problem për mua. Në Kroaci loja bëhet më e shpejtë dhe më agresive, por kjo nuk përbën më problem për mua”.

Ndeshjet me ekipin U19
Duke qenë se kalimin nga Shqipëria në Kroaci e bëri në shkurt të këtij viti, kur sapo kishte mbushur 19 vjeç, drejtuesit e klubit vendosën ta lënë të luante me ekipin U19 të tyre. E ka bërë këtë gjë deri para pak ditësh, duke luajtur në total 25 ndeshje dhe duke shënuar 4 gola.

Në gjysmën e parë të kampionatit aktual, Lokomotiva U19 u shpall “kampion dimri” dhe meritë në këtë sukses ka edhe Çokaj por edhe sulmuesi Mehmetllari i cili iu bashkua këtij ekipi në verë. “Në janar shpresoj t’i bashkohem tashmë ekipit të parë të Lokomotivës sepse për këtë arsye kam firmosur, të jem pjesë e tij”- thotë Enisi.

Gjatë kësaj periudhe, ka luajtur në dy pozicione në qendër të mesit të fushës, si para mbrojtjes ashtu edhe pas sulmuesit dhe në të dy vendet, ka dhënë më të mirën e tij dhe jo më kot, stafi teknik ka mbetur i kënaqur prej tij.

Shembulli i Uzunit
Me ekipin e parë të Lokomotivës së Zagrebit po luan me mjaft sukses këtë sezon edhe futbollisti i kombëtares shqiptare Myrto Uzuni. I pyetur sesa ndikon tek ai dhe Mehmetllari paraqitjet e tij të mira, Çokaj përgjigjet: “Paraqitjet shumë të mira që po bën Uzuni normalisht që janë një plus i madh për ne sepse tregon që edhe pse vijmë nga kampionati shqiptar, mund të kapim ritmin e tyre dhe të bëhemi lider në këtë ekip”.

Ëndrra e madhe- Kombëtarja
Ndonëse ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të moshave edhe në Shqipëri, Enis Çokaj vetëm në një moment është ftuar në kombëtaren U19, pikërisht në kohën kur ajo drejtohej nga Arjan Bellaj dhe ka qenë pjesë e këtij ekipi në dy miqësoret ndaj Maqedonisë. Por për lojtarin tashmë të Lokomotivës së Zagrebit aktivizimi me kombëtaren shqiptare.

“Besoj se kjo është ëndrra e madhe për çdo futbollist dhe prandaj duke luajtur me Lokomotivën, shpresoj ta bëj realitet edhe këtë gjë”- thotë në fund të prononcimit të tij për “Shkodra Sport” koplikasi Çokaj.
© shkodrasport.com