Mesfushori i Inter, Radja Nainggolan deri tani nuk ka mundur dot të përmbushë pritshmëritë për shkak të dëmtimeve të shpeshta dhe qëndrimit të gjatë jashtë fushës. Pikërisht në këto kushte, belgu e përkufizon kështu aventurën e tij të deritanishme me zikaltërit: “Këtu më kanë pritur mirë, si shokët e ekipit, ashtu edhe drejtuesit e klubit.

Për mua nuk është asnjëherë e lehtë të ndryshoj ambient, kam qëndruar gjithmonë shumë i afeksionuar pas vendeve ku kam luajtur. Si te Cagliari, ashtu edhe te Roma, ku kam dhënë dhe kam marrë shumë. Si zikaltër, Spalletti më ka dashur fuqishëm dhe me atë kam marrdhënie shumë të mira”, deklaroi Nainggolan për “Undici”.

“I mbylla marrëdhëniet me verdhekuqtë sapo mësova se donin të më shisnin. Kalova një periudhë në të cilën ishia shumë i hidhëruar, për mënyrën si kishte përfunduar aventura ime te Roma. Por tani jam shumë i qetë. Mënyra ime e lojës bën që të më duan dhe respektojnë kudo, sepse jap gjithmonë maksimumin në fushë”, vijoi mesfushori belg.

“Me të përfunduar karriera si futbollist, me siguri nuk do të bëj asgjë që të ketë të bëjë me botën e futbollit, as trajnerin dhe as komentatorin sportiv. Sidomos këtë të fundit, sepse për mua që kam një zemër të madhe, do të ishte e pamundur ta bëja. Jam shumë i sinqertë, që i them gjërat menjëherë ashtu si i mendoj, pa çensurë, do të bëja menjëherë shumë armiq dhe do të më përzinin”, përfundoi Nainggolan./telesport/