Gazetari shkodran, Admir Uruçi ka qenë mbrëmë i ftuar në studion e Star Sport. Ai foli për epilogun e kampionatit shqiptar duke cilësuar se ishte plot rivalitet deri në fund. Uruçi ndalet tek Vllaznia ku priste diçka më tepër nga kuqeblutë këtë sezon. E ndërsa ia “faturon” kalimin në kupat e Europës së shkodranëve vetëm faktit se u luajt ndershëm deri në minutën e fundit të edicionit.
Uruçi tha: “Ishte një ndeshje ndaj Bylis që ishte finale për të dy skuadrat. U zhvillua një futboll i vërtetë dhe i drejtë në fund, ku Vllaznia mund ta pësonte edhe në sekondat e fundit të ndeshjes. Juriç ishte pranë autogolit dhe do flisnim ndryshe në qoftë se ai top do kishte shkuar në rrjetë. Megjithatë fatmirësisht mund të themi se ekipi realizoi objektivin minimal.
Po ashtu duhet thënë që fatmirësisht u luajt ndershëm deri në minutën e fundit të edicionit. Si Partizani ashtu edhe Tirana që mund të kishin në dorë disi fatin e Vllaznisë ishin real deri në fund. Kjo jo për ti bërë favor Vllaznisë, por për objektivat e tyre personalë që kishin për të dalë kampion.
Unë realisht prisja më shumë nga kjo Vllazni në këtë sezon. Ishte një ekip që u ndërtua për kampion dhe ia komplikoi gjërat vetes gjatë rrugës. Uroj që të nxirren mësime nga gabimet dhe të mos ripërsëriten në sezonin që do vijë”.
Endri ÇINARI