Astrit Premçi është nga ata ish-futbol listë të Vllaznisë që ka lënë gjurmë me fanellën kuqeblu. Ish-kapiteni kampion i sezonit 1997-1998, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka analizuar startin e sezonit të shkodranëve, ndërsa ka folur edhe për ndeshjen e radhës me Partizanin, që do të luhet nesër në orën 17:45 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Ish-qendërmbrojtësi ka pritur më tepër nga skuadra në këto gjashtë javë të para, ndërsa nuk ngurron të kritikojë lojën sulmuese të ekipit. Sipas tij, duhet të hiqet dorë nga aktivizimi i një numri 9 “fals”, por të luhet me qendërsulmues të mirëfilltë. Premçi i referohet aktivizimit të Ardit Hoxhajt në majë, në një kohë që lojtarët tipikë të ofensivës Kaina dhe Aralica kanë qëndruar në stol.

Astrit, çfarë përshtypjeje ju ka lënë Vllaznia pas gjashtë javësh kampionat?

Kam pritur ndoshta më tepër. Me këtë grup lojtarësh cilësorë, investimin dhe korrektësinë që kam mësuar se ka nga ana e klubit, sigurisht pritshmëritë janë për më tepër. Megjithatë, për çfarë kanë dhënë lojtarët në fushë deri më tani, mendoj se është marrë më e mira.

Çfarë nuk ka shkuar sipas jush sa u përket oshilacioneve që ka pasur skuadra?

Më vjen keq që ekipi nuk po tregon lojën që ne presim. Çfarë nuk shkon, unë nuk di, por që kanë mundësi të japin më tepër këta lojtarë, e di mirë. Po të njëjtit lojtarë kanë treguar kohë më parë se çfarë janë në gjendje të bëjnë, prandaj dhe presim më tepër.

Me një fitore i parakalon “demat”, sa shanse ka të ndodhë diçka e tillë?

Unë e shikoj Vllazninë fituese, pavarësisht vlerave të kundërshtarit, por duhet që lojtarët në të tilla përballje, të tregojnë edhe forcë karakteri. Për mua fiton skuadra që ka më shumë dëshirë dhe lufton fort për të arritur te suksesi. Besoj se mund të marrin tri pikë.


Çfarë duhet të bëjë ndryshe skuadra në këtë takim?

Në çdo repart duhet kujdes. Në mbrojtje sa më pak gabime. Mesfusha duhet që të luajë më shpejt dhe të bëjë sa më shumë vertikalizime të topit. Kryesorja për mua është që të luhet me sulmues kryesor. Skuadra të vërë shpirtin në fushë, mbi të gjitha.