Vllaznia do presë nesër në orën 17:45 në “Loro Boriçi”, ekipin e Partizanit. Një ndeshje që pritet e vështirë për të besuarit e Joses, që para publikut të tyre nuk duhet të zhgënjejnë. Po ashtu edhe të kuqtë do duan reagimin pas humbjes në derbi me Tiranën një javë më parë.

Në kampin shkodran ka disa lojtarë që në të shkuarën kanë qenë pjesë e Partizanit dhe i njohin mirë kryeqytetasit. Jo më larg se para një sezoni, pjesë e “demave” ishin: Marku, Shehi dhe Mala. Të tre futbollistë që tani mbajnë veshur fanellën kuqeblu. E po ashtu është edhe Hakaj që në karrierën e tij është aktivizuar me Partizanin.

Tek Partizani, në rolin e një “ish-i” është Da Silva. Fantazisti braziliani që për dy sezone qëndroi në Shkodër, duke fituar edhe dy herë kupën e Shqipërisë. Po ashtu pjesë e 16 herë kampionëve të vendit janë edhe dy shkodranët, Preka dhe Dragaj. Por të dy futbollistët pavarësisht se janë nga Shkodra, nuk janë aktivizuar kurrë me kuqeblutë.

Një duel ku ekipet njihen mirë mes njëri-tjetrit dhe ku lojtarët mes tyre janë miq të mirë. Por patjetër gjithçka do harrohet për 90 minutat e ditës së nesërme, ku si Vllaznia e po ashtu Partizani do kërkojnë suksesin në javën e 7-të të Superiores.
Endri ÇINARI