Skënderbeu është duke kaluar momentin më të keq të sezonit. Humbjet e njëpasnjëshme dhe diferenca e paktë me ekipet që janë në fund të renditjes, sjellin një situatë aspak të zakonshme. Në kushte të tilla, ekipi duhet të reagojë për të rikthyer sërish qetësinë.

Ish-sulmuesi legjendar i Skënderbeut, Dhimitraq Xhambazi, në një prononcim për “Panorama Sport” komenton situatën në të cilën ndodhet ekipi, teksa sheh dritë në fund të tunelit.

“Të vjen keq të thuash se situata është deri diku shqetësuese. Normalisht, këtë e konfirmon edhe kur sheh që diferenca me vendet që zbresin direkt një kategori më poshtë është e pakët. Në asnjë moment nuk e kishim menduar se ky sezon do të shkonte kështu. E dinim që do të ishte e vështirë, por jo deri në këtë pikë. Duke parë se sa pak ndryshoi ekipi nga sezoni i kaluar, por edhe përbërjen e skuadrave të tjera, situata dukej më e qetë, mirëpo kampionati po tregon të kundërtën.

Skënderbeun e shoh në vështirësi rezultatesh, edhe për shkak të mungesës së fatit dhe gabimeve arbitrare në disa raste. Por, nga ana tjetër këtë krizë unë e shoh edhe si rezultat i mungesës së afrimeve cilësore në merkato, ndryshe nga ekipet e tjera rivale”, ka thënë fillimisht Xhambazi.

TRAJNERI – Për një prej ikonave të futbollit korçar, vënia në diskutim e Memellit në krye të pankinës, është diçka që ai nuk e çon nëpër mend. Ai thekson se asnjë trajner tjetër nuk mund të bënte më mirë sesa Migeni me kushtet që ka ekipi për momentin. Xhambazi është i bindur se dhënia e besimit te Memelli është gjëja e duhur.

“Nuk e çoj nëpër mend një Skënderbe në këtë moment pa Memellin. Kam parë shumë shkrime të tifozëve dhe thirrje për largimin e tij, por për mua kjo do të ishte në dëm të ekipit. Askush më shumë se Memelli nuk mund t’i marrë më të mirën ekipit aktual të Skënderbeut. Unë e kam parë si punon dhe çfarë kërkon në stërvitje. Por, me kushtet që ka për momentin, me gjithë këto dëmtime dhe me fatin kundër, askush s’bën dot asgjë më shumë, madje do të bënim regres po të kishte ndryshime në stol” citoi ish-sulmuesi

Gjithashtu ai shtoi: “Unë kam besim tek ekipi dhe e shoh të mundshme ringritjen, pasi pikët janë aty. Nuk duhet ta bëjmë dramë humbjen me Partizanin, Tiranën apo edhe me Teutën. Janë ekipe të ndërtuara për të tjera situata dhe objektiva. Ne duhet të shpëtojmë sezonin dhe jam i bindur se Memelli di ta bëjë sërish ekipin të luajë mirë dhe të mbijetojë”, përfundoi Xhambazi.