Dje u luajt takimi ndërmjet Vllaznisë dhe Partizanit, duel ky në kuadër të javës së 15-të të kampionatit të 19-vjeçarëve.

Me një gol në minutat e fundit të krejt takimit, nga Mirsad Zahi, Vllaznia arriti të merrte një fitore të rëndësishme për të vijuar kështu me rezultatet pozitive.

Pas ndeshjes, foli edhe autori i golit të fitores për Vllazninë, Zahi, i cili tha se ekipi e vlerësoi shumë këtë ndeshje ndaj Partizanit, por ai ndalet të flasë edhe për të ardhmen e tij.

“Shumë emocione. E vlerësuam këtë ndeshje ndaj Partizanit. I kishim një pikë larg dhe tani u shkëputëm me katër. E vlerësuam këtë ndeshje me pak fjalë. Kemi punuar fort. Profesor Sinani na ka ndihmuar shumë në stërvitje dhe në gjithçka tjetër.

Kisha shumë emocion në momentin e shënimit të golit. S’di si ta shpjegoj. Gjithmonë jam i gatshëm kur më thërret profesor Sinani. Stërvitem shumë. Mundësitë e aktivizimit kanë qenë të vogla, por e shfrytëzova.

Sigurisht që, Vllaznia do jetë kampione në fund të sezonit. Do punoj fort. Për të ardhmen ia lëmë në dorë kohës. Të shohim këtë kampionat. Ta fitojmë këtë kampionat, kaq për momentin.

Shpresoj që të jem pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë. Tani është në dorë të trajnerëve”,-mbylli prononcimin e tij, futbollisti i Vllaznia U19, Mirsad Zahi.
Maringlen ZHIVANI