Arval Maliqi ishte një nga lojtarët më të mirë në takimin e djeshëm mes Vllaznisë dhe Partizanit, në ndeshjen e vlefshme për kampionatin e 19-vjeçarëve. Futbollisti i shkodranëve u shpreh i kënaqur me këtë fitore ndaj një kundërshtari mjaft të fortë.

Në intervistën e dhënë për mediat pas ndeshjes, Maliqi deklaroi se ekipi i tij është drejt rrugës së titullit kampion, por duhet të jenë me këmbë në tokë, pasi ai thotë se është ende herët për të folur.

“Ishte një ndeshje e luftuar mirë, me ekipin e vendit të dytë, Partizani. Luftuam fort, bëmë tre gola dhe fituam ndeshjen.

Jam shumë i kënaqur me atë që paraqita në fushën e lojës. Ne ndoqëm taktikat e profesor Sinanit dhe fituam ndeshjen. Normal, vendi i parë me vendin e dytë pritej që të kishte rivalitet të fortë. Ashtu siç e patë edhe ju, ne dolëm ekipi më i mirë, duke fituar ndeshjen.

Jam stërvitur fort. Kam dalë në stërvitje edhe me ekipin e parë. Kam bërë edhe një ndeshje miqësore me ekipin e parë. Kam bërë edhe një gol ndaj Tërbunit. Gjithashtu, me ekipin kombëtar seleksionohem vazhdimisht. Kjo falë punës dhe pasionit tim që kam për futbollin.

Eshtë ende herët për të folur për titullin kampion, por drejt asaj rruge jemi. Dedikimi i golit shkon për familjen që më ka mbështetur gjithmonë”,-mbylli prononcimin e tij, futbollisti i Vllaznia U19, Arval Maliqi.
Maringlen ZHIVANI